Presidenti
i Francës, Nikolas Sarkozi, ka propozuar një strategji të re ushtarake dhe
sigurimi, që vë në dukje një frymë të re më miqësore brenda NATO-s, dhe e cila
do të modernizojë mënyrën mbrojtëse të Francës, sigurinë dhe politikën e
jashtme. Në materialin në vazhdim gazetarë britanikë dhe amerikanë shprehin
mendimet e tyre në lidhje me politikën e re të Francës për mbrojtjen.
Doktrina e re ushtarake e propozuar nga Presidenti
Nikolas Sarkozi në mesin e qershorit për herë të parë në më shumë se 40 vjet do
të integrojë trupat franceze në strukturat komanduese të aleancës së NATO-s. Michael Moran, Drejtor Ekzekutiv në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë
dhe ish-korrespondent i BBC-së dhe MSNBC-së, shprehet rreth ndryshimeve të
propozuara në politikën e re ushtarake të Francës:
"Ndryshimet përfshijnë reforma të strukturave
ushtarake të cilat janë shumë të ngjashme me ato që kanë filluar në Britani dhe
Shtetet e Bashkuara që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Në thelb, organizimi
i forcave nuk ka qëllim luftën tokësore ose mbrojtjen nga ndonjë pushtim i
mundshëm i Francës, i cili ishte skenari për pushtimin e Evropës nga
ish-Bashkimit Sovjetik, por krijimi i forcave më dinamike, që transportohen më
lehtë nga ajri ose nga deti për misione të ndryshme të shekullit të 21-të
paqeruajtëse apo për vendosjen e paqes. Gjithashtu, përfshijnë një përqëndrim
të ri mbi zbulimin dhe kundër terrorizmin, i cili padyshim, pas 11 shtatorit,
është një realitet".
Megjithëse ndryshimet në ushtri hasën në shumë
kritika nga opozita franceze, ato u vlerësuan, veçanërisht nga Evropa dhe
Shtetet e Bashkuara, si një hap në drejtim të duhur. Michael Evans është
redaktor për çështjet e zbulimit në gazetën The Times të Londrës. Ai thotë se
ndryshimet janë më shumë të natyrës politike se sa ushtarake.
"Mendoj se
ishte një vendim politik, sepse Presidenti Sarkozi, me marrjen e pushtetit në
Francë, e bëri të qartë se dëshëron të punojë më nga afër me amerikanët.
Parardhësi i tij, Zhak Shirak, nuk ishte i këtij mendimi. Që në fillim zoti
Sarkozi e bëri të qartë se ishte i interesuar të bëhej edhe një herë një anëtar
më i angazhuar i NATO-s".
Në vitin 1966, Presidenti Charles de Gaulle, i
zemëruar nga dominimi amerikan dhe britanik i NATO-s, tha se integrimi ushtarak
i Francës në NATO nuk ishte më i justifikueshëm. Por, Presidenti i tanishëm
francez, Nichola Sarkozi, presidenti më pro-amerikan në shumë vite, ka punuar
shumë për ngushtimin e dallimeve transatlantike. Sipas Michael Moran,
riorientimi i ushtrisë franceze është mirëpritur në Uashington.
"Franca është angazhuar përsëri në komandën e
përbashkët të NATO-s dhe po dërgon një forcë të konsiderueshme ushtarake në
Afganistan, gjë që Shtetet e Bashkuara kishin vite që e kërkonin. Gjithashtu,
marrëdhëniet midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara, në mënyrë të dukshme janë
duke u përmirësuar sepse duket se zoti Sarkozi është i të njëjtit mendim me
politikën amerikane mbi Iranin, duket se beson se Izraeli është një vend, i
cili jo vetëm që nuk mund të lihet mënjanë, por duhet vlerësuar për vlerën që
ka dhe gjithashtu, bota do të jetë një vend më i mirë në qoftë se Shtetet e
Bashkuara, Britania dhe Franca harmonizojnë qëndrimet e tyre".
Por disa
analistë e shohin me dyshim rritjen e papritur të aktivitetit nga ana e
Presidentit Sarkozi. Në 1 qershor Franca mori presidencën e rradhës të
Bashkimit Evropian. Me shqetësim shihet plani i tij për një Bashkim të Vendeve
Mesdhetare, i cili do të fillojë në 14 korrik. Kjo aleancë e përbërë nga 16
vende të Evropës Jugore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut do të formojnë
një komunitetet të lirshëm ekonomik të përqëndruar në tregti, energji dhe
siguri dhe shihet nga disa si një sfidë ndaj politikës së administratës së
Presidentit Bush për Lindjen e Mesme. Por Peter Shpigel, korrespondent i
gazetës Los Angeles Times në Pentagon nuk mendon se përpjekjet e zotit Sarkozi
janë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
"Mendoj se përpjekjet e tij për krijimin e një
dialogu ose aleance të gjerë mesdhetare pasqyrojnë shumë atë që është duke bërë
edhe NATO-ja, e cila është përpjekur të arrijë një dialog mesdhetar që afron
vendet moderne veri-afrikane, veçanërisht Marokun dhe disa të tjera, jo si
pjesë e NATO-s, por pa dyshim si një pjesë e një grupi vendesh aleate që kanë
pikëpamje të njëjta për ekstremizmin islamik. Nuk mendoj se është një sfidë,
por është një plotësim i asaj që Shtetet e Bashkuara po mundohen të arrijnë".
Duket se
doktrina e re ushtarake franceze përfaqëson më tepër një riorientim se sa një
tërheqje nga ambicjet. Disa analistë theksojnë: Presidenti Sarkozi është duke e
angazhuar përsëri ushtrinë franceze për t'u marrë me kërcënime që me të vërtetë
janë të rëndësishme.