Ndërsa
në mbarë botën ka rreth 7 mijë gjuhë të ndryshme, vetëm 83 për qind e tyre
përdoren nga shumica e popullsisë. Studjuesit thonë se shumë nga gjuhët e
tjera, që nuk fliten, rrezikohet të zhduken, duke paralajmëruar se ndoshta
gjysma e gjuhëve të botës nuk do të ekzistojnë më deri në fund të shekullit.
David Harrison në Insitutin, “Gjuhët që Jetojnë” për Gjuhët e Rrezikuara të
Botës, thotë se zhdukja e gjuhëve përbën një krizë me përmasa të
jashtëzakonshme dhe se ai po përpiqet për përmirësimin e gjendjes.
David
Harrison është profesor dhe linguist. Ai shkon në vende të prapambetura të
botës me pajisje regjistrimi, me një bllok dhe laps, për të grumbulluar dhe
ruajtur gjuhët e banorëve autoktonë, që janë në prag të zhdukjes.
"Unë punoj me folësit e fundit
të gjuhëve që rrezikohet të zhduken dhe prandaj, kur ulem me një të moshuar në
Australinë Veriore, psh., në Indi, apo në Siberi, jam tepër i ndërgjegjshëm në
regjistrimin që po bëjmë. Në disa raste, regjistrimi ynë është i pari që është
bërë ndonjëherë për ato gjuhë, prandaj edhe shqetësohem shumë për cilësinë e tingullit.
Në raste të tjera, ky i yni mund të jetë regjistrimi i fundit, që kemi për të
patur mundësinë të realizojmë".
Kjo
është pjesë e projektit “Zërat
që mbijetojnë”, të organizuar nga Qendra “National Geographic” dhe Insituti
“Living Tongues”, “Gjuhët që jetojnë”,
të zotit Harrison.
"Ne e kemi quajtur këtë sfidën
më të madhe të ruajtjes së gjuhëve të kohës sonë. Unë nuk dua ta nënvleftësoj
sfidën e ruajtjes së specieve dhe ekosistemeve, por gjuhët rrezikohen më tepër.
Ato do të zhduken më shpejt dhe duhet patur parasysh që ato mbajnë disa nga
sekretet e mbijetesës njerëzore dhe përshtatjen e planetit tonë".
Në
librin e tij “Kur gjuhët vdesin”, zoti
Harrison thotë se shumica e njerëzve të botës flasin një nga 83 gjuhët dominuese
dhe pak a shmuë, në çdo dhjetë ditë, humbasim një prej gjuhëve të popullsive
fisnore.
Gjysma e gjuhëve të botës, 3 mijë e
500 gjuhë fliten nga 0,1 për qind e popullsisë së botës. Pra, në se
interesohemi për përhapjen e njohurive, ato ruhen nga një pjesë shumë e vogël e
popullsisë dhe janë nën presion të madh të gjuhëve të botës dhe globalizimit.
Ekipi i projektit po i përqëndron përpjekjet në rajone që njihen si pika të
nxehta, apo të rëndësishme të gjuhëve.
"Një pikë e nxehtë është një vend me diversitet të madh gjuhësh, por me
nivele të larta të rrezikut për t’u zhdukur dhe me nivele të ulëta të
dokumentimit shkencor".
Pjesërisht, falë projektit “Zërat që mbijetojnë”, ka një interes të ri për
gjuhët e fiseve indigjene, në disa shkolla të Australisë, të Amerikës Veriore
dhe gjetkë.
...
Por shkencëtarët e projektit nuk mund
t’i shpëtojnë të gjitha gjuhët që kanë hyrë tashmë në rrugën e zhdukjes. Synimi
i tyre është të dokumentojnë ç’ka munden dhe të na bëjnë të ndërgjegjshëm për
faktin, se kur një gjuhë zhduket, humbasin njëkohësisht edhe njohuritë
shumëvjeçare.