Qindra personalitete morën pjesë në një ceremoni
të organizuar me rastin e hapjes së ambasadës amerikane në Berlin, zhvilluar
dje për të përkuar me festimet për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Hapja e ambasadës së re shuan një tjetër gjurmë të lënë pas nga ndarja e
Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ceremonia
madhështore u hap nën tingujt e bandës së xhazit të Forcave Ajrore amerikane
dhe me një video që u shfaq para Portës Branderburg, një simbol i ndarjes së
Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ambasada u rindërtua në sheshin Pariser
Platz, para kësaj porte. Pamjet e transmetuara tregonin Presidentin aktual
amerikan Xhorxh Bush në takime me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Në ceremoninë e hapjes së ambasadës
morën pjesë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ish-Presidenti i Shteteve të
Bashkuara Xhorxh Herbert Bush, i cili ishte presidenti amerikan në kohën kur u
rrëzua muri i Berlinit. Ai ishte partizan
i ribashkimit të Gjermanisë.
Me këtë ceremoni, ambasada amerikane
kthehet zyrtarisht në vendin që kishte përfaqësia e Shteteve të Bashkuara në
Gjermani, para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ndërtesa ku ndodhej
ambasada amerikane para fillimit të luftës, u dëmtua rëndë gjatë luftimeve, dhe
më pas u sheshua nga regjimi komunist i Gjermanisë Lindore. Për tre dekada, ky
terren ishte brenda zonës së fortifikuar rëndë pranë Murit të Berlinit.
Ndërtesa e re mori afro 4 vjet për t'u përfunduar dhe kushtoi 143 milionë
dollarë.//IB