Lajmet nga Turqia tregojnë se
prodhimi i opiumit do të shtohet këtë vit. E gjithë sipërfaqja e
mbjellë me këtë bimë do të rritet, falë një programi të veçantë të sponsorizuar
nga qeveria që lejon fermerët të kultivojnë bimë narkotike në rrugë të ligjshme. Por a mund të ndiqet shembulli i Turqisë në vende të tjera si Afganistani, ku prodhimi i narkotikëve të paligjshëm
është shtuar tej mase.
Me
flokë të thinjuara dhe buzëqeshje çapkëne, me një lëkurë të nxirë nga puna disa
dekadashe në fushat me opium, 60 vjeçari Mohamet Dogan flet me krenari ndërkohë
që fermerët e tjerë e urojnë për të mbjella të mbara. Flitet për një vit të mbarë dhe ata e dinë më mirë se kushdo
tjetër. Këta janë fermerë që kanë mbi 30-vjet eksperiencë me kultivimin e bimës
që shërben si lëndë e parë për prodhimin e opiumit. Dogan thotë se për të
gjithë fermerët, opiumi nuk është vetëm një bimë që sjell para.
"Ai thotë se opiumi është diçka nga i cili
nuk mund të heqin dorë sepse është pjesë e jetës atje. Ai shpjegon se babai i
tij dhe para tij gjyshi, kanë kultivuar bimën e opiumit. Ai thotë se i hyri
kësaj pune në fëmijëri. U rrita në fushat e opiumit, thotë Mohameti, dhe e kam
në gjak".
Fermerët kanë shkuar për t'u takuar me inspektorin e shtetit Ilyas
Mert. Këtij të fundit nuk i kalon gjë pa e ditur, sepse edhe ai është një
veteran i opiumit dhe ka punuar për 30 vjet me agjencitë për kontrollin e
kultivimit të kësaj bime.
Mert kontrollon për të parë nëse Mohamet Dogan ka mbjellur opium vetëm
në sipërfaqen e caktuar të tokës. Ai gjithashtu sigurohet që opiumi nuk është
shtrydhur ende nga bima. Inspektori përllogarit me kujdes se sa opium do të
prodhojë fusha e mbjellur. Ndonjë mospërputhje me sasinë e prodhuar do të çojë
në një hetim të menjëhershëm që mund të sjellë
burgim të gjatë dhe heqjen e përhershme të së drejtës për kultivimin e
ligjshëm të bimës së opiumit.
Pasi
gjithçka ka vajtur siç duhet, Mert shkon të kontrollojë një fermë tjetër
opiumi. Ky është një sezon i ngarkuar për të. Brenda pak javësh bima fillon të
prodhojë një substancë qumështore, e cila përdoret për prodhimin e heroinës. Mert po shkon tek Aliu, vëllai i
Doganit. Ai thotë se thuajse të gjithë këtu janë të përfshirë në një farë
mënyre në prodhimin e opiumit.
"Qyteti kryesor
këtu, thotë Mert, quhet Afyon që do të thotë opium. Ai shton se opiumi është në
çdo pjesë të jetës këtu, por se gjithçka kontrollohet rreptësisht. Ai thotë se
çelësi i suksesit është puna me popullsinë lokale. Të gjithë e dinë se prodhimi
i opiumit do të ketë sukses nëse nuk shkelen rregullat. Besimi është jetësor",
përfundon ai.
Fitimi i besimit si në vend ashtu edhe jashtë tij ka qënë një betejë e
gjatë. 30 vjet më parë Uashingtoni e akuzoi Ankaranë se kishte kontroll të
dobët mbi opiumin dhe se 80 përqind e heroinës në Amerikë vinte nga Turqia. Nën
një presion të madh, qeveria turke ndaloi të gjithë prodhimin e opiumit. Rreth
1 milion vetë u prekën nga ky vendim. Fermeri i opiumit Ali Dogan i mban mend
ato ditë të vështira.
"Ishte një kohë e tmerrshme, thotë Aliu.
Nuk humbëm vetëm burimin e të ardhurave, por kulturën tonë, kuzhinën dhe
gjithçka që lidhet me të. Ishte një pakënaqësi e madhe, uri dhe zemërim. Ai
thotë se nuk duan që ato ditë të përsëriten. Ndaj për këtë arsye, shton ai,
fermerët punojnë së bashku që politikat e reja të funksionojnë. Patjetër që çdo
fermer do të donte të mbillte një sipërfaqe më të mdhe, por nuk ia vlen rreziku
që të humbasësh për jetë të drejtën e kultivimit të opiumit".
Pas një presioni të madh tre vjeçar
nga fermerë si Aliu dhe vëllai i tij Mohamet, qeveria i lejoi ata të mbillnin
opium. Por kësaj rradhe u vu në zbatim një metodë radikale për kontrollin dhe
prodhimtarinë e opiumiut.
Jo larg plantacionit të Aliut është fabrika më e madhe në botë e
opiumit. Duke punuar 24 orë në ditë, fabrika prodhon gjysmën e opiumit të
kultivuar ligjërisht në botë. Ali Gevenkiris drejton prodhimin e opiumit në
Turqi.
Gevenkiris
vëzhgon me kujdes ndërkohë procesin e shtrydhjes së frutave. Makineria që
përdoret në këtë proces eliminon metodën e mëparshme të përpunimit që çon në
prodhimin e heroinës. Nëse vërehet një praktikë e paligjshme e përpunimit, ata
që shkelin rregullat dënohen deri në 20 vjet burg. Por a mund të përsëritet në
Afganistan një sukses i tillë.
"Nëse prodhimi i
opiumit bëhet i ligjshëm në Afganistan, tregu botëror do të mbushet me opium,
thotë Ali Gevenkiris. Kjo do të sjellë një rënie të thellë në çmime".
Në Turqi kontrollet e rrepta janë të kushtueshme me rreth 6 milionë
dollarë në vit, një shumë e konsiderueshme po ta krahasosh me të ardhurat e
përgjithshme prej 30 milion dollarësh nga shitjet e opiumit të ligjshëm në
botë.
Faktikisht, prodhimi që mundësojnë programet
qeveritare arrin të vështirësi të mbulojë koston e tij. Por, duke pasur
parasysh se afro një milion vetë varen nga kultivimi i opiumit për para, dhe
rëndësinë e këtij aktiviteti në ruajtjen e identitetit kulturor, qeveria turke
beson se ia vlen te shpenzosh në këtë fushë.