Dobins: Suksesi i Kosovës do të varet tek zhvillimi i ekonomisë, qeverisja e mirë dhe zbatimi i ligjit
Bardha Shpuza Azari Zëri i Amerikës, Uashington 08-07-2008
Qeveria
e Kosovës duhet të punojë më shumë për të bindur vendet që nuk e kanë njohur
shtetin e Kosovës ta pranojnë realitetin e ri. Kështu shprehet eksperti
politik, ambasadori Xhejms Dobins, ish i dërguar i posaçëm i administratës së
presidentit Bill Klinton në Kosovë. Zoti Dobins shton se tani për Kosovën është
më i rëndësishëm përqendrimi tek ekonomia, qeverisja e mirë dhe zbatimi i ligjit
sesa anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare.
Deri tani, shteti i ri i
Kosovës është njohur zyrtarisht nga 43 vende të botës. Drejtori i Qendrës për
Siguri Ndërkombëtare dhe Politikat e Mbrojtjes në korporatën Rand, Xhejms
Dobins thotë se megjithëse qeveria e Kosovës ka qenë deri diku e suksesshme në
këtë aspekt, ajo duhet të jetë akoma më aktive për njohjen e shtetit të ri nga
vendet më të largëta që nuk janë shumë të njohura me çështjen e Kosovës.
"Mendoj se ata duhet të jenë më aktivë, dhe mendoj
se Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë evropiane janë të gatshme t'i ndihmojnë ata
dhe të përdorin edhe ndikimin e tyre gjithashtu. Por, sidoqoftë, Kosova duhet
të bëjë punën e saj në këtë aspekt."
Megjithë shpalljen e pavarësisë,
serbët në Kosovë, të mbështetur nga Beogradi, vazhdojnë të mbajnë strukturat e
tyre paralele. Zoti Dobins thotë se
megjithëse nuk ka të ngjarë që Prishtina të përpiqet të ushtrojë forcë për
eliminimin e këtyre strukturave, autoritetet e Kosovës nuk do t'i lejojnë ato
të konsolidohen më tej.
"Mendoj se do
të shohim një farë status quo-je, ndërkohë që të dy palët përpiqen të
manovrojnë. Pra, komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës do të vazhdojë
zgjerimin e autoritetit të tyre, ndërsa serbët do të vazhdojnë t'i rezistojnë
atij. Por mendoj se të dy palët do të tregojnë vetëpërmbajtje dhe do të lënë që
këto çështje të zgjidhen përmes mjeteve politike dhe ekonomike."
Rusia nga ana e saj vazhdon të kundërshtojë me këmbëngulje pavarësinë
dhe kjo në një farë mënyre ndikon në njohjen e Kosovës nga vende të tjera të
botës. Megjithatë, zoti Dobbins thotë se vendet më të rëndësishme të Europës e
kanë njohur Kosovën dhe kjo ka rëndësi meqenëse Europa, Kombet e Bashkuara dhe
NATO-ja do të vazhdojnë ta mbrojnë Kosovën dhe të nxisin zhvillimin e saj.
"Mendoj se
kundërshtimi rus ka një farë ndikimi dhe ndoshta bën që disa vende të hezitojnë
ta njohin Kosovën, por mendoj se shumica e vendeve që janë të rëndësishme për
Kosovën e kanë njohur atë. Gjithashtu është e qartë se e ardhmja e Kosovës
është në Europë."
Po a mund të jetë Kosova një shtet funksional pa u anëtarësuar në disa
nga organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, si për shembull Kombet e
Bashkuara?
"Rusët bllokuan anëtarësimin e Gjermanisë
Perëndimore në Kombet e Bashkuara për disa vite me radhë deri sa u arrit një
kompromis. Por megjithatë, Gjermania Perëndimore edhe para se të ndodhte kjo u
zhvillua mjaft mirë pavarësisht se nuk ishte anëtare e OKB-së."
Suksesi i Kosovës do të varet tek zhvillimi i ekonomisë së saj dhe tek
zotësia për të treguar aftësinë për qeverisje dhe zbatimin e ligjit. Këto,
thotë zoti Dobins janë për momentin më të rëndësishme për Kosovën sesa
anëtarësimi në OKB.
Ndërkohë, formimi i një qeverie koalicioni në Serbi e cila ka
përparësi integrimin në Bashkimin Europian është tregues i mirë për të ardhmen
e këtij vendi, megjithë tensionet brenda platformës qeveritare në lidhje me
çështjen e Kosovës.
"Platforma e qeverisë për Kosovën nuk përputhet
plotësisht me platformën për Europën dhe kjo do të bëhet edhe më e dukshme me
kalimin e kohës. Megjithatë, kjo do të jetë çështje që do të krijojë pa dyshim
një pikë të rëndësishme dialogu mes Serbisë dhe Bashkimit Europian."
Si Kosova ashtu edhe Serbia
aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Dhe nëse kjo do të ndodhte,
debatet për njohjen do të merrnin fund meqenëse kufijtë nuk do të ekzistonin
më. Problemi është se si mund të arrijnë Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në
BE duke marrë parasysh qëndrimet e ndryshme të Bashkimit Europian, i cili
mendon se Kosova nuk duhet ndarë, dhe qendrimit serb, i cili duket se tani e ka
pranuar pak a shumë se pjesa më e madhe e Kosovës është e humbur.
"Unë e shoh këtë si një burim të vazhdueshëm
fërkimesh, por edhe si burim të vazhdueshëm dialogu. Dhe nëse Kosova dhe Serbia
arrijnë deri në fazën e anëtarësimit të plotë në BE, gjë që mund të marrë edhe
një dekadë, mendoj se dialogu do të jetë ai që do të zgjidhë mosmarrëveshjet e
mbetura." //bsa//