Dy ish
sekretarë shteti po rekomandojnë që Shtetet e Bashkuara t’i ndryshojnë
procedurat e marrjes së vendimit për të shkuar në luftë:
Ish-sekretarët Xhejms Bejker dhe Uorren Kristofer thonë se një presidenti amerikan i duhet
kërkuar me ligj të konsultohet me Kongresin para se ta çojë vendin në luftë.
Ata kërkojnë gjithashtu, që Kongresi ta miratojë, apo kundërshtojë këtë veprim,
brenda 30 ditësh.
 |
Xhejms Bejker majtas dhe Uorren Kristofer, djathtas
|
Zoti Bejker ka qenë sekretar shteti kur
President i Shteteve të Bashkuara ishte Xhorxh Herbert W. Bush, babai i
presidentit të tanishëm dhe zoti Kristopher mbante të njëjtin post, kur
presidend ishte Bill Klintoni. Të dy ish-sekretarët udhëhoqën një studim një
vjeçar, të kryer nga Komisionit
mbi Autoritetin për Luftë Kombëtare.
Zoti Bejker thotë se komisioni beson se
Rezoluta mbi Autoritetin për Luftë Kombëtare e vitit 1973, duhet zëvendësuar.
"Ne jemi të mendimit, se
sundimi i ligjit, që, natyrisht, është në qendër të themeleve të demokracisë
amerikane, minohet dhe dëmtohet kur
statuti kryesor në këtë politikë kaq jetike vihet në pikëpyetje, ose injorohet
rregullisht."
Ligji i
vitit 1973 ishte një përgjigje ndaj Luftës në Vietnam. Zotërinjtë Bej dhe Kristofer thonë se tani ai është i paefektshëm dhe jo kushtetues. Ata thonë
se asnjë president nuk e ka njohur kushtetutshmërinë e këtij ligji, Kongresi
asnjëherë nuk e ka sfiduar atë dhe Gjykata e Lartë nuk ka marrë asnjëherë
vendim mbi atë ligj.
Kushtetuta amerikane përcakton
Presidentin si Komandant të forcave të armatosura, por i jep Kongresit fuqinë
për të kontrolluar fondet për luftën.
Ligji i propozuar nga komisioni Bejker
dhe Kristofer i kërkon Presidentit të konsultohet me Kongresin para se të dërgojë
trupa në luftime jashtë vendit, për më tepër se një javë. Po ashtu, ai kërkon
krijimin e një Komisioni Konsultimi të Kongresit, me anëtarë të të dyja dhomave
të organit ligjvënës. Zoti Kristofer thotë se ligji do ta përfshinte
Kongresin në marrjen e një vendimi të rëndësishëm.
"Ky statut i jep Kongresit një
vend në tryezën e marrjes së vendimit për të shkuar, apo jo në luftë dhe jo
thjesht për të qenë i pranishëm, por përmes një ekipi të përhershëm dhe
profesional dhe për të kontrolluar të gjitha informacionet e nevojshme të
zbulimit."
Propozimi
i Komisionit, po ashtu i bën thirrje Kongresit të miratojë, apo kundërshtojë,
brenda 30 ditëve “çfarëdo konflikti të armatosur të përmasave të konsiderueshme”.
Zoti Bejker thotë se plani nuk ka të bëjë me ndonjë konflikt të veçantë, ku
janë përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Ish kongresmeni republikan Li
Hamilton, anëtar i komisionit, thotë se grupi shpreson që ligji
Bejker-Kristofer të miratohet nga Kongresi dhe të nënshkruhet nga Presidenti
vitin e ardhshëm.
"Ne mendojmë se ky është një
ligj i mrekullueshëm për Presidentin e ardhshëm dhe për Kongresin e ardhshëm,
që të vihet shpejt në zbatim, si një shenjë e bashkëpunimit dy-partiak në këtë
vend, për një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare."
Një
anketim i ri tregon se 79 për qind e amerikanëve mendojnë se Presidentit i
duhet kërkuar të marrë më parë miratimin e Kongresit, para dërgimit të trupave në luftime, jashtë
Shteteve të Bashkuara.//lk