Për më
shumë se një shekull, sipërmarrës në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kanë
arritur sukses në biznes dhe i kanë sjellë botës shpikje të reja dhe ndryshime
të shumta. Tani, reduktimi i kufizimeve shtetërore, lidhja e shpejtë me
internetin dhe shtimi i mundësive për të siguruar kapital po ndihmojnë
sipërmarrës në botën në zhvillim dhe vendet e bllokut ish-sovjetik të shesin në
tregjet botërore mallrat dhe shërbimet e tyre.
Fjala
‘sipërmarrës’ të sjell në mendje dikë që merr përsipër një projekt të caktuar.
Sipërmarrësit shpesh marrin mbi vete një farë rreziku në përpjekjet e tyre për
të futur në tregje mallra dhe shërbime, qoftë për një komunitet të vogël, ose
për tregun global.
Bill Gates është ndoshta sipërmarrësi
më i suksesshëm në botë. Ai nuk shpiku kompiuterin për përdorim personal, por
programet e tij kompiuterike e kanë bërë më të lehtë për miliona vetë në botë
që të përdorin kompiuterat. Ai është bërë një ndër njerëzit më të pasur në
botë. Programet e thjeshta dhe të kuptueshme kompiuterike, të ndërthurura me
shpikjen e internetit ua kanë bërë të mundur sipërmarrësve të fillojnë biznese
me një kapital të vogël dhe t’ua ofrojnë produktet e tyre një tregu shumë më të
gjerë se sa tradicionalisht.
13 vjet më parë, sipërmarrësi nga San
Francisko Craig Newmark krijoi një kënd informacioni në internet që t’i
shërbente firmës ku ai punonte. Sot, faqja e tij elektronike Craig’s List
shërben si një treg i madh ndërkombëtar shitblerjeje, i ngjashëm me faqet e
gazetave që ofrojnë për shitje mallra dhe shërbime, ose kërkesa nga njerëz që
duan të blejnë një mall të caktuar. Aktualisht, shpjegon Craig, kjo faqe
elektronike ka përdorues në 55 vende, në 567 qytete në mbarë botën.
Që pas rrëzimit të regjimeve komuniste
në vendet e Lindjes, në këto vende plot njerëz janë shndërruar në sipërmarrës.
Yana Yakovleva është drejtoreshë e sektorit të financës në një kompani ruse për
prodhimin e silikonit. Ajo thotë se burokracia ende mbetet pengesë për
sipërmarrësit: “Burokrati fiton pikë për çdo
çështje që e nxjerr para gjykatës, për çdo kompani që mbyll. Këto akte janë
pluse në karrierën e tij”.
Në
Venezuelë, kufizimet që ka vendosur qeveria mbi shkëmbimet e valutës si dhe
masat për të kontrolluar tregun e lirë e kanë rënduar atmosferën për biznes.
Santiago Alvarez, biznesmen në sektorin e shpërndarjes së artikujve ushqimorë,
thotë se ndesh në probleme të shumta nga burokratët qeveritarë:
“Është shumë e vështirë të
sigurosh të gjitha lejet që nevojiten për të hapur një biznes. Duhet të
ndeshesh me shumë burokraci nga një numër agjencish qeveritare, në mënyrë që të
sigurosh lejet dhe kapitalin”.
Studimet
tregojnë se sipërmarrësit janë njerëz me tipare të ngjashme, që i motivojnë për
të filluar një biznes të ri. Ata shpesh nuk nxiten thjesht nga fitimi dhe janë
njerëz që nuk epen kollaj para vështirësive.
Për 35 vjet, sipërmarrësi britanik
Richard Branson ka punuar për ta shndërruar markën e tij “Virgin” në një emër
të fuqishëm të njohur në të gjithë botën, e cila përfshin një grup mediatik,
një shoqëri fluturimesh dhe një kompani të telefonisë celulare. Me punën e tij
për këtë firmë, ai është bërë një ndër njerëzit më të pasur në botë. Gjatë
jetës atij i është dashur të kapërcejë një numër pengesash, duke filluar me
disleksinë, një anomali që vështirëson procesin e mësimit. Si rezultat, tregon
ai, kurrë nuk arriti të ndjekë studimet universitare:
“Kur isha në shkollë dhe
kisha provim, u hidhja një vështrim pyetjeve dhe bllokohesha. E lashë shkollën
kur isha 15 vjeç dhe fillova punë”. Kur
ishte ende adoleshent, Branson kishte provuar 2 herë falimentimin në biznese që
kishte filluar vetë. Por ajo ishte thjesht faza fillestare. Më pas ai hapi
dhjetëra biznese të tjera të sukseshme.
Në Indi, Sunil Mittalit iu desh të
kapërcente të tjera forma pengesash:
“U
rrita në kohën kur India kishte rrënjë të thella socialiste. Modeli sovjektik
mori forma shumë dramatike në ekonominë e Indisë”.
Mital hapi biznesin e tij të parë për
prodhimin e pjesëve të këmbimit për biçikleta. Ai thotë se kur sistemi i
planifikimit të centralizuar mori fund në vitin 1992, ai pati mundësi ta
shndërronte kompaninë e tij në një nga korporatat më të mëdha të vendit.
Në shumë vende në zhvillim, mundësitë
për të marrë kredi të vogla u kanë hapur alternativa të shumta sipërmarrësve të
rinj. Banka Grameen në Bangladesh jep kredi thuajse në mënyrë ekskluzive për
gratë.
Muhamed Yunus është themeluesi i bankës
dhe një individ që ka marrë famën e heroit në vendin tij. Banka Grameen ishte e
para që filloi të jepte kredi biznesi në shkallë të gjerë për të varfrit në
botën në zhvillim. Për këtë kontribut, zoti Yunus u nderua me Çmimin Nobel për
Paqe në vitin 2006.
Melissa Carrier e Universitetit të
Merilandit thotë se modeli i huadhënies i kësaj banke ka zgjeruar konceptin e
sipërmarrjes:
“Banka Grameen ka
legjitimizuar kreditë e vogla për fshatarin e thjeshtë. Tani termi
‘sipërmarrje’ nënkupton iniciativë vetjake, qoftë për të ngritur një pulari apo
për të mbajtur lopë, ose për të thurur shalle për shitje”.
Donald
Trump, sipërmarrësi i suksesshëm amerikan në sektorin e pasurive të patundshme,
thotë se sipërmarrësit duhet të punojnë me pasion, të jenë të guximshëm, të
kenë vizion, të asimilojnë njohuritë e reja, të jenë të gatshëm për veprim, të
mësojnë si të negociojnë dhe të gjejnë kënaqësi tek konkurenca. //rd//