Eksperti më i lartë për
krime lufte në Departamentin e Shtetit e mirëpriti arrestimin e ish udhëheqësit
serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç nga Serbia, dhe tha se ky është një hap i mirë
për të ardhmen e Serbisë drejt Europës. Ambasadori Klint Uilliamson thotë se
arrestimi duhet të jetë shqetësues për ish-shefin ushtarak serb të Bosnjes
Ratko Mlladiç, i cili është ende në arrati.
Radovan Karaxhiç, i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në
ish-Jugosllavi për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, konsiderohej një nga
personat më të kërkuar në Europë.
Kapja e tij në Serbi pas
13 vjetësh në arrati ishte lajm shumë i mirë për zotin Uilliamson, ambasador i
posaçëm për krime lufte dhe ish prokuror federal i cili ka punuar vetë në
stafin e gjykatës për ish-Jugosllavinë për shtatë vjet me radhë.
Në një intervistë për
Zërin e Amerikës, zoti Uilliamson tha se lufta katër-vjeçare në
Bosnje-Hercegovinë, e cila filloi në vitin 1992 drejtohej kryesisht nga
programi i zotit Karaxhiç, i cili përdori një fushatë spastrimi etnik kundër
myslimanëve dhe kroatëve për të krijuar shtetin e tij të vogël serb.
"Ai krijoi kampe të
burgosurish ku njerëzit mbaheshin në kushte të tmerrshme, ai ishte i angazhuar
në rrethimin e Sarajevës, ku granadat nuk pushonin së rëni në qytet, ku
snajperët qëllonin qytetarët që shihnin punën e tyre. Pastaj, në të gjithë
vendin kishte episode të tëra vrasjesh masive, ku forcat nën komandën e tij
sulmonin civilët me synimin për t'i dëbuar ata, për t'i eleminuar dhe vranë me
mijëra prej tyre."
Arrestimi i Radovan Karaxhiçit ndodhi vetëm pak ditë pas përvjetorit në
Bosnjë, të aktit më famëkeq të luftës, masakrës në vitin 1995 të 8 mijë burrave
dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, e cila ishte shpallur zonë e sigurt nga
OKB-ja, por që pastaj u mor nga forcat serbe. Zoti Uilliamson ishte një nga
pjesëmarrësit në këtë përvjetor.
I dërguari amerikan tha se forcat e NATO-s, që
ndërhynë për t'i dhënë fund luftës në vitin 1996 ndoshta e kishin patur
mundësinë për ta kapur Karaxhiçin që në fillim, por nuk e kishin bërë këtë, dhe
pastaj ai ishte fshehur në Bosnjë dhe më pas në Serbi, supozohet nën masa të
caktuara mbrojtjeje zyrtare.
Zoti Uilliamson tha se pikë-kthesa në këtë çështje ishte marrja e
pushtetit në fillim të këtij muaji nga qeveria pro-perëndimore në Beograd, për
të cilën ai shikon përfitime politike nga arrestimi i Radovan Karaxhiçit, dhe
lënia pas e të kaluarës së dhunshme të vendit.
"Arrestimi i tij do të ketë ndikim të madh. Integrimi i
Serbisë ne BE dhe NATO ka ngecur për shkak se ata nuk kanë bashkëpunuar me
gjykatën për krime lufte në Hagë, se ata nuk kishin bërë çfarë duhej për të
trajtuar çështjet e papërfunduara dhe veçanërisht arrestimin e personave të
kërkuar. Prandaj, fakti që ata tani kanë arrestuar një nga të arratisurit më të
rëndësishëm do të jetë gjë e mirë për ta."
Pas arrestimit të Karaxhiçit, në arrati mbeten
vetëm ish-shefi i tij ushtarak Ratko Mlladiç dhe një zyrtar tjetër i lartë i
enklavës serbe të Bosnjës Goran Haxhiç. Zoti Uilliamson tha se arrestimi i të
hënës do të jetë shumë shqetësues për Mlladiçin, personi që akuzohet se ka qenë
në krye të vrasjeve të Srebrenicës.
"Ai do të jetë shumë i
shqetësuar tani. Ai ka arritur të qendrojë i qetë, duke menduar se qeveria serbe
nuk do të përpiqet ta kapë, dhe se duhej të qendronte i fshehur edhe pak deri
sa gjykata ndërkombëtare të mbyllej dhe ai të ishte i lirë. Prandaj mendoj se
kjo është shenjë shqetësuese për të dhe për ata që e përkrahin."
Gjykata e Hagës ishte planifikuar t'i mbaronte
proceset gjyqësore deri në fund të këtij viti dhe të gjithë apelimet e
çështjeve deri në 2010-ën.
Zoti Uilliamson thotë se është i bindur se vendet
anëtare të Këshillit të Sigurimit do të arrijnë një konsensus për ta zgjatur
mandatin e gjykatës sa të jetë e nevojshme për të përfunduar gjyqin e Radovan
Karaxhiçit dhe çështjeve të tjera të mbetura. //bsa//