Kandidati
demokrat për president i Shteteve të Bashkuara, Senatori Barak Obama, në
kuadrin e turneut të tij nëpër botë, pas vizitave në Afganistan, Irak dhe
Izrael dje mbërriti në Evropë. Në çdo vend që ka vizituar, Senatori Obama është
trajtuar si një kryetar i mundshëm shteti; turneu i tij është mbuluar
gjerësisht nga media. Si reagim ndaj turneut të zotit Obama, kandidati
republikan për president, Xhon Mekein, bëri disa kritika ndaj rivalit të tij
demokrat.
Evropa
po e mirëpret kandidatin për president të Shteteve të Bashkuara, senatorin
Barak Obama, me turma entuziaste dhe takime me zyrtarët të lartë.
Ai mbërriti në Berlin pas një ndalese
në Izrael dhe në Rripin e Gazës, ku u takua me udhëheqësit izraelitë dhe ata
palestinezë. Pas takimit, ai mbajti një konferencë shtypi në qytetin izraelit
Sderot. Ai i siguroi izraelitët dhe votuesit hebrej në Shtetet e Bashkuara, se
në se zgjidhet president, administrata e tij do të ketë një politikë afatgjatë
për rajonin.
“Amerika duhet të qëndrojë gjithmonë përkrah të drejtën e Izraelit për t’u
vetëmbrojtur nga rreziqet që kanosin popullin e tij”.
Kandidati
demokrat për president, mbështeti gjithashtu shpresat e palestinezëve për
shtetin e tyre.
“Ne nuk na duhet një marrëveshje paqeje vetëm në letër, që nuk çon në paqe.
Ne kemi nevojë për një marrëveshje domethënëse si për izraelitët edhe për
palestinezët”.
Zoti
Obama tha po ashtu se qëndrimi amerikan ndaj Iranit do të mbetet i pandryshuar.
“Një Iran me armë bërthamore do të krijonte një situatë të pasigurtë jo
vetëm në Lindjen e Mesme, por në mbarë botën”.
Gjatë
vizitës në Jordani, Barak Obama përsëriti përkushtimin e tij për pakësimin e
ndjeshëm të trupave amerikane në Irak deri në vitin 2010.
“Mënyra më e mirë për të mbështetur sovranitetin e Irakut dhe për të
inkurajuar irakianët që të jenë të vendosur është përmes ridislokimit të
përgjegjshëm të brigadave tona luftarake”.
Të
hënën në Irak, zoti Obama u takua me krye-komandantin e forcave amerikane David
Petreas. Po atë ditë, kryeministri Nuri al Maliki tha se ai, ashtu si zoti
Obama, do që deri në vitin 2010, të tërhiqen trupat luftarake amerikane nga
Iraku.
Ndërkohë, rivali republikan Xhon Mekein, po e përshkruan planin e Barak Obamës për Irakun, si një manovër në këtë
vit zgjedhjesh.
“Më duket se Senatori Obama preferon të humbasë luftën, për të fituar një
fushatë politike”.
Po
ashtu, fushata e zotit Mekein po kritikon rrjetet televizive amerikane, përmes
një reklame të re televizive, mbulimin pozitiv që ato po i bëjnë fushatës së
zotit Obama.
Komentatori për temat politike Xhorxh
Will thotë se zoti McCain po përpiqet të tërheqë vëmendjen e mediave.
“Nuk
është e mundur që zoti McCain të tërheqë vëmendjen e mediave, deri sa vëmendjes
të largohet nga vizita e senatorit Obama nëpër botë”.
Turneu
i senatorit Obama mbaron këtë fundjavë. Më pas ai do të vazhdojë fushatën e tij
në shtete të ndryshme të Amerikës si dhe përplasjet e pashmangshme me senatorin
McCain për çështje të politikës së brendshme.//lk