Koreja e Veriut njoftoi se do të
rifillojë çmontimin e reaktorit bërthamor në Jongbjon, tani që Shtetet e
Bashkuara e hoqën qeverinë e Phenianit nga lista e shteteve që mbështesin
terrorizmin.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut
mirëpriti sot vendimin amerikan dhe premtoi të lejojë inspektorët amerikanë dhe
ata të Kombeve të Bashkuara që të verifikojnë punën për çmontimin e reaktorit.
Administrata e presidentit Bush tha se e hoqi Korenë e Veriut nga lista e
shteteve që mbështesin terrorizmin sepse Pheniani ra dakord me të gjitha
kërkesat e OKB-së për inspektimin.
Kryeministri i Japonisë, Taro Aso, tha se vendimii Uashingtonit nuk do të
dëmtojë përpjekjet e Tokios për të marrë informacion rreth qytetarëve japonezë
të rrëmbyer nga Koreja e Veriut në vitet 70-të dhe 80-të.
Japania kishte kërkuar që Koreja e Veriut të mbetej në listën e shteteve që
mbështesin terrorizmin derisa të zgjidhej çështja e të rrëmbyerve japonezë.
Shtetet e Bashkuara e hoqën Korenë e Veriut nga lista e shteteve që
mbështesin terrorizmin, në këmbim të një plani verifikimi që i lejon Shtetet e
Bashkuara dhe vende të tjera pjesëmarrëse në bisedimet bërthamore të vëzhgojnë
procesin e çarmatimit të vendit komunist.
Departamenti amerikan i Shtetit i bëri të njohura hollësitë e marrëveshjes të
shtunën, pas një dite diskutimesh intensive mes SHBA-së dhe 5 vendeve të tjera
të angazhuara në bisedime.
Zëdhënësi Shan Mekormek tha se Pheniani përmbushi të gjitha kërkesat e
parashtruara nga Shtetet e Bashkuara lidhur me procesin e verifikimit të
çarmatimit bërthamor të Koresë së Veriut. Sipas marrëveshjes së re, Koreja e
Veriut do të lejojë vëzhgimin e pasurimit të plutonimumit dhe uraniumit dhe çdo
aktivitet që ka të bëjë me përhapjen e armëve bërthamore.
Ekspertët e 6 vendeve të
përfshirë në bisedimet për marrëveshjen dhe Agjencia Ndërkombëtare Bërthamore
do të lejohen të marrin pjesë në aktivitetin e verifikimit. (ze)