Nikolë Kidman në seancën dëgjimore për dhunën ndaj grave
Mirela Milori Zeri i Amerikës, Uashington 22-10-2009
Në një nga sallat e Dhomës
së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, u zhvillua dje një seance dëshmish me
protagonistë të luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Mes të
pranishmëve, ishte dhe aktorja Nicole Kidman, Ambasadore e Vullnetit të Mirë
për UNIFEM-in – Fondi i Zhvillimit i OKB-së për Gratë. Bashkërendimi i politikave
qeveritare dhe joqeveritare ishte një nga prioritet që u theksuan në takimin e
djeshëm .
"Dhuna ndaj grave duhet të konsiderohet nga të gjithë ne
si diçka e padrejtë, jocivile dhe imorale. "
Me këto fjalë do të niste seancën dëgjimore në Kongres kryetari
i komisionit të Punëve të Jashtëme të Dhomës së Përfaqësuesve, William D.
Delahunt.
Të pranishmit, sollën gjatë orëve të dëshmive të tyre,
historitë, arritjet, përpjekjet dhe atë çka mbetet ende për t'u bërë përballë
këtij fenomeni social, i cili është pjesë e dhimbshme e realitetit në shumë
vende.
Mes atyre që folën ishte dhe aktorja Nicole Kidman,
ambasadore e Vullnetit të Mirë për UNIFEMIN që nga vitit 2006. Ndër rastet që
ajo pëmendi ishin dhunimet në Kosovë gjatë konfliktit të vitit 1999.
"Ndër
rastet që dëgjova në Kosovë, ishte një grua, e cila ishte dhunuar si taktikë
lufte në mënyrë sistematike gjatë konfliktit. Dhuna i la trauma fizike e
psikologjike, e si pasojë ajo mbeti dhe shtatëzënë. Ajo nuk qëndroi e heshtur, por
sëbashku me gra të tjera dëshmoi në gjykatën e
për Krimet e luftës në Jugosllavi. Dëshmia e saj u klasifikua si dhunim
në kohë lufte, çka përbën krim ndaj njerëzimit."
Folës të tjerë sollën dëshmi të ngjashme nga puna dhe
veprimtaria e tyre kudo në botë.Ligjvënsja amerikane Xhenis Shakovski tha:
"Dhuna
ndaj grave nuk është çështje vetëm e grave. Ajo nuk duhet të shihet si produkt
i kulturave të ndryshme, diferencave apo luftrave. Dhuna ndaj grave është
tragjedi njerëzore me pasoja të shumta. Do të sjell rastin e Klaudinës nga
Guatemala, 19 vjeçares studente e juridikut, që u vra pasi denoncoi një
përdhunim, i cili nuk u hetua kurrë. Vetëm gjatë vitit të kaluar në Shtetet e
Bashkuara u denoncuan 89 mijë raste të përdhunimeve- tha zonja Shakovski.
Në seancën e djeshme dëshmuan edhe Mallika Dutt, e
shoqatës "Breakthrough" dhe Ambasadorja për Çështjet Globale të Grave në
Departamentin e Shtetit Melanie Verveer. Presidentja e organizatës "Shared Hope
International", Linda Smith paraqiti angazhimin e madh të qeverisë amerikane për
të krijuar një strategji për të luftuar dhunën në vendet ku ka një nivel të
lartë të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Arsimimi, politika të rrepta shtetërore për abuzuesit e
grave, si dhe një punë e bashkërenduar e organzimave qeveritare dhe atyre
joqeveritare, ishin disa nga faktorët që u cilësuan si prioritarë për
angazhimin kundër dhunës ndaj grave e vajzave . //mm//
Dërgoni komentin për këtë artikull që të botohet në faqen tonë të internetit. Adresa juaj e e-mailit nuk do të publikohet.
Duke përdorur këtë formë ju jeni dakord për sa më poshtë: Gjithë komentet do të rishikohen. VOA mund t'i editojë komentet tuaja para publikimit. Jo të gjitha komentet do të publikohen. VOA rezervon të drejtën të përdorë komentet tuaja në transmetimet e saj. Rregullat për botimin e komenteve