Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton po i zbut vlerësimet për Izraelin duke
thënë se oferta për të kufizuar zgjerimin e vendbanimeve nuk është në përputhje
me qëndrimin e Uashingtonit.
Zonja Klinton i bëri komentet sot në Marok, vetëm pak
ditë pasi vlerësimet e saj të larta për
Izraelin, ndeshën me kritika të forta nga komuniteti arab.
Sekretarja Klinton vlerësoi gjithashtu pozitivisht
Presidentin palestinez Mahmud Abas, duke thënë se ai ka shfaqur “aftësi
udhëheqëse dhe vendosmëri” në përpjekjet drejt përmirësimit të gjendjes së
sigurisë.
Pas bisedimeve në fundjavë me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë,
zonja Klinton vlerësoi lëshimet e Izraelit për kufizimin e vendbanimeve në
përpjekje për të rifilluar negociatat e paqes.
Komentet bënë që udhëheqësit palestinezë të akuzonin
Shtetet e Bashkara se po minojnë përpjekjet e paqes, pasi një plan ndërkombëtar
paqeje i vitit 2003 parashikon që Izraeli të ndërpresë të gjithë aktivitetin e
vendbanimeve.
Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat rikonfirmoi dje se
nuk do të ketë kthim tek bisedimet derisa Izraeli të ndalë aktivitetin e
vendbanimeve.
Jordania dhe Egjipti nxorën dje deklarata ku mbështesnin
qëndrimin palestinez.//lk