Sejdiu: Beogradi të mos mbështesë strukturat paralele në Kosovë
Besim Abazi Zëri i Amerikës 05-11-2009
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë trysni mbi Beogradin, për t'i dhënë fund mbështetjes së
strukturave paralele në Kosovë, që sipas tij, nuk janë as në interesin e vetë
qytetarëve serbe. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, ai tha se forcave
politike në Serbi të cilat janë mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, duhet
t'u thuhet se veprimet e tyre nuk janë në pajtim më këtë mbështetje.
"Unë i kuptoj proceset e mbështetjeve
që jepen edhe me aspektin e liberalizimit të vizave etj. Por, megjithatë, nëse
i hyjmë një analize më të thellë, do të shohim se Beogradi nuk e ka dëshmuar
pro evropianizmin e vet dhe përkundrazi, ka disa qasje të tjera për të krijuar
paralele se 'kemi dikë pas shpine edhe më të fortë që në të do të mbështetemi'.
Keni parasysh vizitën e para disa ditëve të presidentit të Federatës Ruse,
zotit Medvedev, mesazhet që ai dha për Beogradin. Cilat ishin? Ishin mesazhe
joracionale, për të penguar një lëvizje pozitive, flas, të të gjithë vendeve në
kompozicion në politikat evropiane, në politikat properëndimore, në interesin
real që këto vende duhet të kenë".
Presidenti Sejdiu, tha se gjatë dhjetë viteve të shkuara ka munguar një
qasje më e vendosur e pranisë civile ndërkombëtare ndaj gjendjes në veriun e
Kosovës, jo nëpërmjet forcës, por veprimeve që tash po bëhen hap pas hapi nga
Misioni i Bashkimit Evropian për policinë
dhe drejtësinë.
"Unë s'dua të hedh fajin si tërësi në
kuptimin e asaj se domosdo ka rezultuar si pasojë e angazhimit maksimal të një
faktori që ka qenë dominant këtu, sepse janë edhe faje të tjera do të thoja.
Por, megjithatë, e them se ky proces i inkurajimit, proces, do të thoja i rikthimit
të qytetarëve në shtëpitë e veta, proces i bindjes së tyre të jetojnë me realitetin,
proces i lënies anash të veprimeve të këqija siç kanë qenë veprimet e
strukturave paralele, i rojeve të urës dhe pjesëve të tjera, kanë qenë një tip
i tolerancës që misioni ndërkombëtarë në Kosovë e ka bërë", tha presidenti
Sejdiu
Veriu i vendit vazhdon të jetë skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj
pavarësisë së Kosovës, e cila është njohur deri tash nga 62 vende të botës. Por
ka disa muaj që nuk ka ndodhur asnjë njohje dhe shumë vëzhgues e lidhin këtë me
çështjen e Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë e cila me një dhjetor do të
fillojë shytimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, një kërkesë kjo e
shtruar nga Beogradi. Presidenti Sejdiu beson se njohje të reja do të ndodhin së
shpejti dhe posaçërisht pas mendimit të Gjykatës që sipas tij do të jetë në
favor të Kosovës.
"Atë që unë e pres, do të jetë
mbështetje e vullnetit politik. S'mund të jetë vendim tjetër, s'mund të jetë
qëndrim tjetër i shprehur. Nuk ka fuqi argumentesh që mund ta rrëzojnë një lëvizje
të karakterit 'sui generis' në të gjitha zhvillimet që ka pasur Kosova".
Presidenti Sejdiu tha se Kosova tash ndodhet edhe para një procesi të
rëndësishëm atë të zgjedhjeve që sipas tij janë me peshe të madhe për të
shprehur pjekurinë shtetërore dhe kulturën politike të vendit. Duke u bërë
thirrje të gjithë qytetarëve e posaçërisht atyre të komunitetit serb për
pjesëmarrje në votime, ai tha se më e rëndësishmja është që edhe pas zgjedhjeve
të vazhdojë qëndrueshmëria politike në vend, por pa dashur të parashikojë nëse
do të ketë ndryshme në marrëdhëniet politike në shkallë vendi pas këtij
procesi.
"Unë them se në kohë sigurisht se do
të ketë analiza të cilat mund të sjellin, të themi, qasjen e re për ecje më
dinamike në zhvillimin e proceseve demokratike në Kosovë. Dhe e them me të pran
se do të jetë një etablim i mirë në pushtetin lokal, që realisht mund të shprehë
edhe forcën politike të partive politike të Kosovës", tha presidenti
Sejdiu.
Më 15 nëntor Kosova mban zgjedhjet e para për pushtetin lokal që nga
shpallja e pavarësisë dhe të parat që organizohen në tërësi nga institucionet e
saj.
Dërgoni komentin për këtë artikull që të botohet në faqen tonë të internetit. Adresa juaj e e-mailit nuk do të publikohet.
Duke përdorur këtë formë ju jeni dakord për sa më poshtë: Gjithë komentet do të rishikohen. VOA mund t'i editojë komentet tuaja para publikimit. Jo të gjitha komentet do të publikohen. VOA rezervon të drejtën të përdorë komentet tuaja në transmetimet e saj. Rregullat për botimin e komenteve