Një nga ngjarjet më të mëdha që pasuan rënien e Murit të Berlinit, ishte hyrja e protestuesve gjermanë në zyrat e policisë sekrete, Stasit. Dy muaj pas rënies së Murit dhe dorëheqjes së byrosë politike të Republikës Demokratike Gjermane, sigurimi i urryer i shtetit, Stasi, vazhdonte punën. Për demonstruesit kjo ishte skandaloze. Protesta u zhvillua me moton "Në qoftë se nuk dilni jashtë, ne do t'ju murosim brenda". Protestuesit kërkonin që selia e Stasit t'i dorëzohej një komiteti civil.