Pensionistët amerikanë nën barrën e problemeve ekonomike
Jeff Swicord Zëri i Amerikës 08-11-2009
Për herë të parë në 30 vjet, amerikanët që përfitojnë nga sigurimet
sociale, programi qeveritar i pensionit, nuk do të shohin ngritje të pagesës në
përputhje me inflacionin. Mbi 52 milionë amerikanë të moshuar varen tek
sigurimet sociale si e ardhura e vetme, ose pjesë e të ardhurave të pensionit.
Ndërkohë që kriza ekonomike ka prekur ndjeshëm fondet e tjera të pensioneve dhe
bursën amerikane, për shumë pensionistë amerikanë, sigurimet sociale nuk janë
thjeshtë një e ardhur shtesë, por burimi kryesor i të ardhurave.
97-vjeçarja Ana Maiman është një ndër
52 milionë amerikanët që përfitojnë nga sigurimet sociale. Këtë vit pagesa nuk
do të rritet si zakonisht nga inflacioni
Zonja Maiman erdhi në Shtetet e
Bashkuara nga Polonia, në moshën 17-vjeçare. I shoqi vdiq disa vjet më parë.
Ajo vuan nga demenca senile, prandaj për të kujdeset nipi, Mike Maiman.
Të ardhurat e tyre mujore kapin 1350
dollarë në muaj, një pjesë nga pagesa e sigurimeve sociale, të tjetra nga
pensioni i bashkëshortit të zonjës Maiman. Ana është mjaft aktive për moshën që
ka. Nipi i saj thotë se pa një rritje të pagës së sigurimeve sociale, cilësia e
jetës së saj do të ndryshojë.
"Nuk është se kemi mbetur
për jetë a vdekje, por nënkupton një jetesë shumë të kufizuar, pasi ajo s’do të
jetë në gjendje të bëjë gjë me këtë buxhet të vogël.”
Sigurimet
Sociale u krijuan në fillim të shekullit të 20, për të mbrojtur amerikanët e
moshuar nga varfëria. Gjatë viteve të punës, çdo amerikan kontribuon në fondin
e sigurimeve sociale. Çdo vit pagesat nga ky fond rriten në përputhje me
rritjen e indeksit të çmimeve për mallrat e konsumit. Këtë vit ky indeks ra 1.3
për qind, si rezultat i rënies së ndjeshme të çmimeve të karburantit.
Nancy Altman është specialiste për
fondet e pensioneve dhe sigurimet sociale. Ajo nuk mendon se indeksi i çmimeve
të mallrave për konsum është tregues i saktë i kostos së jetesës për
pensionistët. Sipas zonjës Altman, ky indeks nuk merr parasysh koston e
strehimit dhe kujdesit shëndetësor, shpenzimet kryesore të pensionistëve. Për
këtë arsye, ajo mendon se pagesat nga sigurimet sociale duhet të rriten.
“Pagesat mesatare nga
sigurimet sociale janë më të ulëta se paga që merr dikush që paguhet me rrogë
minimale. Pra sigurimet sociale nuk të ofrojnë as kushtet e jetesës me pagë
minimale. Prandaj, kur nuk merret parasysh rritja e kostos së jetesës, problemi
thellohet. Këto përfitime nuk mjaftojnë.”
Mbesa e Anës paguan që gjyshja e saj
të frekuentojë dy herë në javë qendrën jo-fitimprurëse Winter Growth për të
moshuarit. Atje Ana merr pjesë në kurse dhe aktivitete. Ashtu si shumë të
moshuar të tjerë, pa ndihmë nga mbesa, ajo s’do të mund të vinte këtu.
Zyrtarë
të Administratës për sigurimet sociale thonë se një i moshuar merr mesatarisht
1,150 dollarë në muaj nga ky fond. Afro 40 për qind e të gjithë pensionistëve mbështeten
tek sigurimet sociale për 90 për qind të të ardhurave. Marge Burba është
drejtoresha ekzekutive e qendrës Winter Growth. Ajo thotë se sigurimet sociale
janë burimi i vetëm i të ardhurave për gjysmën e klientëve të saj dhe kur nuk rritet
paga nga sigurimet sociale, ndikohet edhe aktiviteti i kompanive që u shërbejnë
të moshuarve:
"Kostoja e operacioneve
tona do të rritet duke kaluar rritjen e indeksit të mallrave të konsumit, por
klientët tanë nuk do të kenë mundësi të paguajnë. Kjo do të na detyrojë të
gjejmë mënyra për ta përballuar këtë rritje që të vazhdojmë të japim një
shërbim cilësor.”
Presidenti Barak Obama thotë se ka në
plan t’u japë sa më parë një pagesë emergjence prej 250 dollarësh pensionistëve
që marrin sigurime sociale. Ky propozim është përfshirë në një paketë
projekt-ligjesh në diskutim në Kongres.
Për Ana Maiman dhe pensionistë të
tjerë, kjo rritje nënkupton 30-40 dollarë më shumë në muaj. Jo shumë, por një
farë ndihme për momente nevoje të madhe.
//mm//