Kavalia: Demonstrim i mahnitshëm i forcës dhe bukurisë së kuajve
Breshna Omarkel Zëri i Amerikës 10-11-2009
Një spektakël që ka mahnitur miliona njerëz në pjesë të tjera të botës ka
mbërritur në Shtetet e Bashkuara. E veçanta e Cavalias është se yjet janë kuaj,
kalorës dhe akrobatë që kombinohen duke krijuar një pamje ekstravagante për
syrin.
Ritmi i
duhur nuk është vështirë të arrihet për interpretuesit, qofshin njerëz apo kuaj
tek Cavalia. Spektakli organizohet në
tendën më të madhe të Amerikës së Veriut, një hapësirë aq e madhe saqë kuajt
mund të vrapojnë lirisht dhe akrobatët të bëjnë ushtrimet e tyre. Lëvizjet e
tyre janë aq të hijshme, saqë i ngjajnë një ëndrre.
Normand
LaTourelle, një kanadez që ka kontribuar për krijimin e kompanisë së famshme
Cirque Du Soleil, është drejtori artistik.
"Unë
u frymëzova nga historia e kalit, që është pothuajse historia e botës. Kudo që
sheh shenjën e një thundre të kalit, aty sheh edhe gjurmën e një njeriu. Ne
kemi jetuar së bashku me këtë kafshë për një kohë aq të gjatë. Doja të nderoja
atë që ata kanë bërë për ne."
"Tenda
mund të nxërë 2 mijë njerëz dhe ne po arrijmë sukses të jashtëzakonshëm. Kemi
shitur deri tani 2.5 milionë bileta. Meqenëse punojmë me kuajt, ne ndjehemi më
pranë tyre".
Interpretimi
i kuajve dhe akrobatëve reflekton forcë dhe bukuri të gërshetuara së bashku. Trupa
e Cavalias që interpretoi në Uashington u krijua para disa vjetësh. Ajo vjen
nga Kebeku i Kanadasë dhe bashkon dhjetra akrobatë, kalorës dhe muzikantë nga
shumë vende.
Kuajtë
janë kryesisht raca evropiane të njohur për bindje dhe forcë. Mund të duhen 6
muaj deri në 10 vjet për të stërvitur kafshët. Kalorësit përballen me sfida të
vështira. Xhesi Lukavo shpjegon.
"Shumica
e artistëve janë sigurisht kuajt tanë dhe ata kanë mendjen e tyre. Ne duam që
ta bëjmë të duket sikur çdo gjë është nën kontroll por ka raste kur këta kuaj
marrin çdo gjë nën kontroll dhe puna jonë është që çdo gjë të duket sa më e
bukur dhe të punojmë me kuajt. Ne duhet të punojmë brenda mundësive që na
krijojnë ata".
Disa
nga pjesët e spektaklit sikur ndodhin pa u marrë vesh. Ka edhe një pjesë baleti
ku kuajtë tregojnë lëvizjet e tyre të hijshme dhe të rrjedhshme, ku ata janë
krejt të lirshëm, vetëm me pak udhëzime nga njerëzit. Landon Spenser thotë se
asnjë shfaqje nuk është njëlloj si tjetra.
"Ata
nuk janë makina. Janë kafshë të gjalla. Ata reagojnë ndryshe çdo ditë. Ata kanë
emocione të ndryshme, pikërisht si ne, kështuqë është vazhdimisht një sfidë që
t'i kuptojmë".
Shfaqja
po jepet tani në pjesë të tjera të Amerikës. //ad//