Me afrimin e zgjedhjeve komunale të 15 nëntorit në
Kosovë, ende mbetet e paqartë pjesëmarrja e pakicës serbe. Ata që nxisin
mospjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, përfshirë Beogradin, thonë se nuk
ekzistojnë kushtet. Ata që e mbështesin pjesëmarrjen thonë se pakica serbe
duhet të dalë në votimet e 15 nëntorit, sepse strukturat që mbështeten nga
Beogradi nuk janë në gjendje të përmbushin asnjë prej nevojave institucionale
të serbëve. Në grupin e dytë bën pjesë edhe profesor James Pettifer në Akademinë
britanike të Mbrojtjes. Profesor Pettifer, i cili e njeh mirë Ballkanin dhe ka
shkruar një numër librash për të, shpreh besimin se zgjedhjet e së dielës do të
shkojnë mirë, madje ai thekson s edemokracia funksionon për ata që marrin pjesë në këtë proces. Me zotin
Pettifer bisedoi kolegja Zamira Edwards.
Analistët
thonë se procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës ka qënë i vazhdueshëm, por
më i ngadaltë se sa ishte pritur fillimisht. Profesor James Pettifer, thotë se
megjithë ritmin e këtij procesi, Kosova ka bërë përparim në krijimin e
institucioneve, madje ai shpreh bindjen se zgjedhjet e së dielës do të shkojnë
mirë.
“Jam i sigurt se zgjedhjet e 15 nëntorit
do të shkojnë mirë sepse që nga viti 2000 Kosova ka një traditë të mirë për
zgjedhjet, të cilat janë përshëndetur nga komuniteti ndërkombëtar”.
Profesor
Pettifer thotë se disa prej sfidave me të cilat përballet Kosova e kanë
origjinën tek Plani Ahtisari, i cili përmban disa elementë që janë vështirë të
funksionojnë, veçanërisht çështja e Mitrovicës Veriore. Qeveria e Prishtinës
nuk ka asnjë farë kontrolli mbi zhvillimet në atë zonë dhe kjo gjëndje nuk ka
ndryshuar që prej fillimit. Një problem tjetër është çështja e sigurisë, thotë
profesori i Akademisë britanike të Mbrojtjes.
“NATO-ja ka pakësuar numrin e trupave në
KFOR dhe ndërsa në bazë të dokumentave në Kosovë ka rreth 10 mijë trupa të
huaja, nuk dihet me siguri kapaciteti operacional. Në se Kosova do të përballej
me ndonjë krizë, është vështirë të parashikojmë se si do të zgjidhej ajo. Madje
disa prej çështjeve të reformës së sigurisë të lidhura me pavarësinë nuk janë
shqyrtuar. Në Kosovë ekziston mungesa e një kapaciteti sigurie”.
Plani Ahtisari
nuk përmban një dispozitë rreth krijimit të ushtrisë së Kosovës dhe sipas
analistëve, herët a vonë, kjo çështje duhet shqyrtuar.
Një shqetësim
tjetër i madh janë strukturat paralele të Beogradit në zonat e banuara nga
serbët, të cilat parandalojnë zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe pikërisht
në këtë kontekst, profesor Pettifer shpreh shqetësim rreth qëndrimit amerikan.
“Shumë prej nesh që jemi marrë me
çështjen e Kosovës për një kohë të gjatë, jemi të shqetësuar rreth qëndrimit të
Shteteve të Bashkuara kohët e fundit. Nuk duhet harruar sa i rëndësishëm është
anagazhimi amerikan në Ballkan dhe deri në një farë masa kjo sikur është
harruar, sepse siç dihet, pa Shtetet e Bashkuara, nuk do të kishte shtet të
Kosovës”.
Serbia ka
luajtur një rol negativ në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke
shfrytëzuar çështjen e precedentit që mund të krijojë pavarësia. Sipas
analistëve, tani për tani, Serbia, është në pozita të forta kur është fjala për
mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Për sa kohë që Serbia të ketë mbështetjen e
Rusisë, Kinës, e disa vendeve të tjera të mëdha, si India, analiatët thonë se Serbia
nuk do të ndryshojë qëndrim. Profesor Pettifer thekson se vazhdimi i njohjes së
pavarësisë nga vende të tjera është shumë i rëndësishëm, sepse pavarësia e Kosovës
është faktor stabiliteti në Ballkan dhe Evropë. Profesor Pettifer thotë se edhe
në këtë aspekt e shqetëson politika amerikane.
“Ekziston tendenca që gjërat
t’u lihet evropianëve. Dhe kjo ka qënë e vërtetë për një kohë të gjatë, pavarësisht
nëse kemi të bëjmë me administratë republikane apo demokrate në Uashington. Në
Ballkan ka pasur shumë raste në 20 vjetët e fundit, që, kur është ndjekur një
politikë e tillë, gjërat nuk kanë shkuar mirë. Pa agazhimin dhe energjinë e
Shteteve të Bashkuara ne nuk do të shikojmë përparimin që do të dëshironim”.
Lidhur me
zgjedhjet e së dielës, profesor Pettifer, thotë se demokracia funksionon për
ata që marrin pjesë në këtë proces. Në se vetëm 25 për qind e popullsisë mer
pjesë në zgjedhje, ashtu siç janë të gjithë treguesit, atëhere vetëm ky segment
i popullsisë do të vendosë për të ardhmen e vet dhe nuk ka asnjë dobi që pjesa
tjetër, pra 75 për qind e popullsisë, vetëm të ankohet. Profesori Pettifer
shpreson që më shumë serbë të marrin pjesë në zgjedhje. //rd//
Dërgoni komentin për këtë artikull që të botohet në faqen tonë të internetit. Adresa juaj e e-mailit nuk do të publikohet.
Duke përdorur këtë formë ju jeni dakord për sa më poshtë: Gjithë komentet do të rishikohen. VOA mund t'i editojë komentet tuaja para publikimit. Jo të gjitha komentet do të publikohen. VOA rezervon të drejtën të përdorë komentet tuaja në transmetimet e saj. Rregullat për botimin e komenteve