Komisioni europian i kërkon qeverisë shqiptare të
gjejë një zgjidhje për të dalë nga situata e bllokuar politike dhe
opozitës që t’i jap fund bojkotit të saj. Në përfundim të takimit të
djeshëm me ministrin e jashtëm shqiptar Ilir Meta koimisioneri për
zgjerimin Olli Rehn përsëriti se Shqipëria ka shumë punë për të bërë me
çështjet e sigurisë, pavarësisë së gjyqësorit si dhe përmirësimin e
lirisë dhe mbrojtjes së medias duke cituar rastin e dhunshëm ndaj
gazetarit Mero Baze. Javën e ardhshme Bashkimi europian ka shumë
mundësi t’i hapë rrugë kërkesës për anëtrësim të Shqipërisë duke i
kërkuar komisionit të nis përgatitjet për të dhënë vlerësimin e tij për
këtë cështje.
Problemet që vazhdojnë të ngrihen për Shqipërinë
dhe ecurinë e saj mbeten thuajse të njejta, rendi, siguria, pavarësia e
gjyqësorit, administrata. Këto u përsëritën dje nga komisioneri për
zgjerimin Olli Rehn. Por kësaj here listës i ishin shtuar edhe dy
cështje që lidhen me situatën aktuale. Komisioneri Rehn përmendi
nevojën përmirësimit të lirisë dhe mbrojtjes së medias që gjendet ende
nën sulme të dhunshme sic tha ai duke përmendur rastin e botuesit të
gazetës Tema Mero Baze. Cështja e dytë kishte të bënte me situatën
politike, Progresi drejt BE kërkon reforma të vështira dhe konsensus
politik në prioritete kyçe.
Kjo është thelbësore për çdo vend që të bëjë progres drejt BE, deklaroi zoti Rehn:
"Në
emër te forcimit të konsensusit politik, i kam kërkuar Zv.
Kryeministrit të gjejë një zgjidhje për bllokadën aktuale politike dhe
për bojkotin e Parlamentit prej Opozitës. Patjetër që ky është një
shqetësim që e kam ngritur edhe me Opozitën dhe i kam kërkuar asaj që
t’i jape fund bojkotit parlamentar që nuk respekton standartet
demokratike evropiane. Debati demokratik duhet të zhvillohet brenda
Parlamentit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë kësaj periudhe
që BE është duke konsideruar kërkesën, dhe besoj se shpejt Komisionit
do t’i duhet së shpejti të fillojë punën për Opinionin mbi aplikimin e
Shqipërisë për anëtarësim në BE. Një kriter politik thelbësor është
stabiliteti demokratik dhe cdo lloj bojkoti parlamentar nuk përputhet
me pjekurinë apo stabilitetin demokratik".
Sipas të gjitha
gjasave Bashkimi europian mund të hapë rrugën për shqyrtimin e kërkesës
së Shqipërisë për anëtarësim që javën e ardhshme. Pengesa teknike e
krijuar nga Gjermani për shkak të procedurave të reja të aplikuara nga
ky vend, ngjajnë të kapërcyera. Vendimi për t’I kërkuar komisionit
përgatitjen e opinionit mund të merret nga komiteti I marrëdhënieve më
jashtë e që nga ky moment komisioni duhet të përgatisë një pyetësor që
do t’ja dorëzojë autoriteteve shqiptare.
Por situata politike
nëse vazhdon të mbetet e tillë përbën një rrezik për ritmin e kësaj
marrëdhënieje të re që krijohet mes Tiranës dhe Brukselit. "Qëllimi i
përgatitjes së Opinionit është të vlerësojë, të analizojë nëse një vend
është gati për të filluar bisedimet për anëtarësim me BE-në. Dhe për
këtë qëllim - theksoi komisioneri Rehn - vendi duhet të përmbushë
kënaqshëm kriterin politik. Natyrisht, nëse bojkoti parlamentar do të
vazhdojë më gjatë, ai do të ketë një ndikim negativ në analizat për
kriterin politik dhe kështu do të kishte pasoja negative në mundësitë
për dhënien e statusit të kandidatit nga BE-ja".
Qeveria
shqiptare përmes ministrit të jashtëm Meta ka garantuar angazhimin e
saj në plotësimin e të gjitha kërkesave të komisionit europian, në
marrjen në konsiderat dhe trajtimin me seriozitet, sic përmendi zoti
Meta, të të gjitha cështjeve që ngrihen edhe në progres raportin për
Shqipërinë. Akualisht autoritet shqiptare janë përqëndruar në
plotësimin e objektivave të përcaktuar në udhërrëfyesin për
liberaizimin e vizave. Komisioneri Rehn tha dje se nëse Qeveria e
Shqipërisë dhe autoritetet e tjera do të punojnë fort dhe do të
sigurojnë plotësimin e kërkesave, atëhere Komisioni do të bëjë
rekomandimin për lëvizjen pa viza në mesin e vitit 2010. //bsa//