Besim Abazi/Leonat Shehu Zëri i Amerikës 15-11-2009
Në orën 19 janë mbyllur kutitë e votimit dhe me këtë ka përfunduar raundi i
parë i votimeve për pushtetin komunal në Kosovë, të parat zgjedhje që nga
shpallja e pavarësisë së vendit. Tashmë ka filluar numërimi i votave dhe
mesnata e sontme mund të jetë periudhë e shpalljes së rezultateve të para të
zgjedhjeve të sotme.
Komisioni qendror i Zgjedhjeve, bëri të ditur se në zgjedhjet e sotme kanë
marrë pjesë 45.36 e votuesve, përkatësisht mbi 709 mijë qytetarë nga gjithsejtë
1 milion e 560 mijë syresh të regjistruar me të drejtë vote. Kjo pjesëmarrje
shënon një ngritje për dallim nga zgjedhjet e kaluara të nëntorit të vitit
2007, kur ishte shënuar numri më i vogël i votuesve në të gjitha zgjedhjet e
pasluftës në Kosovë dhe në atë proces kishin marrë pjesë rreth 630 mijë
qytetarë.
Që në orën 7 janë hapur 98 për qind e vendeve të votimit përveç në veriun e
banuar me shumicë serbe dhe për këtë arsye, KQZ-ja vuri në zbatim mundësinë
rezervë - vendvotimet lëvizëse. Një
vendvotim i tillë u largua nga komuna e Zubin Potokut në veri, kur një grup
prej dhjetëra banorësh serbe protestuan kundër pranisë së tij.
Policia tha se nuk ka pasur incidente të tjera për t’u shënuar ndërsa 5
mijë pjesëtarë të saj janë angazhuar në ruajtjen e qetësisë.
Edhe zyrtarët e Komisionit qendror të Zgjedhjeve thanë se procesi ka kaluar
pa probleme të mëdha me gjithë disa ankesa të subjekteve të ndryshme politike
që kanë të bëjnë kryesisht me përpjekje sporadike për votim të dyfishtë,
problemet me identifikimin e vendvotimeve etj. Autoritetet e Komisionit thanë
se ankesat e deritashme nuk janë të përmasave që mund të dëmtojnë procesin i
cili po vëzhgohet nga mbi 20 mijë vëzhgues përfshirë edhe disa qindra vëzhgues
ndërkombëtarë.
Qytetarët e Kosovës votuan sot për kryetarët e 36 komunave dhe anëtarët
kuvendeve komunale, mandati i të cilëve do të zgjasë katër vjet. Derisa
deputetët e Kuvendeve komunale zgjidhen me sistemin proporcional, kryetarët e
komunave do të zgjidhen sipas sistemit të shumicës.
Postin e kryetarit të komunës në rrethin e parë, e fiton ai që siguron 50
për qind plus një votë, ndërsa nëse kjo nuk arrihet organizohet raundi i dytë
ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota. Gjykuar nga numri i
madh i kandidatëve, besohet se shumica e komunave do të kalojnë nëpër raundin e
dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 13 dhjetor.
Autoritetet i vlerësojnë
zgjedhjet e sotme si historike
Zgjedhjet e sotme ndonëse për pushtetin komunal, janë cilësuar me rëndësi
historike për Kosovën. Udhëheqësit politik të vendit thanë se këto zgjedhje
janë sprovë e shkallës së demokracisë dhe pjekurisë politike të shtetit të ri.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha pas votimit se dita e sotme është me
peshë të veçantë për të gjithë qytetarët e vendit. “Mund t’ju them se sot është një ditë historike për Kosovën. Janë
zgjedhjet e para pas pavarësimit të vendit. Dëshiroj që sikur që ka qenë fryma
e përgjithshme gjatë fushatës paraelektorale e mirë, edhe kjo ditë të
përmbyllet mirë. Ka qenë një konkurrencë e mirë e kandidatëve, e partive
politike dhe ka qenë një dinamikë shumë e gjallë e pjesëmarrjes së qytetarëve
në tubimet që ato kanë organizuar. Do të dëshiroja që sot Kosova vërtet të jetë
në ditë feste, të jetë me një pjesëmarrje masive të të gjithë qytetarëve dhe të
kapërcejë edhe një pjesë të pengimit që kanë vendet e Evropës me pjesëmarrjen e
qytetarëve. Në të njëjtën kohë do të dëshiroja që edhe pjesëtarët e
komuniteteve pakicë, në këtë rast të komunitetit serb, të marrin pjesë
masivisht, për arsye se është një shans i madh edhe për ta që të jenë akterë të
jetës sonë të përditshme, pra edhe jetës institucionale”, tha presidenti
Sejdiu
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se dita e sotme është më e
rëndësishmja pas ditës së shpalljes së pavarësisë së vendit. “Kjo është ditë historike, dita e votimit të
parë të qytetarëve të Kosovës, në shtetin e pavarur, sovran, demokratik dhe
multietnik. Të gjithë kemi sakrifikuar
shumë për këtë ditë. Prandaj është një ngjarje historike, dhe unë dua të besoj
fuqishëm se të gjithë do të bëhemi pjesë e kësaj historie të re të shtet ndërtimit,
të ndërtimit të demokracisë së re, të një shoqërie moderne dhe shumetnike.
Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Përgëzoj të gjithë qytetarët
për pjesëmarrje në zgjedhje, të gjitha komunitetet. Ne sot po dëshmojmë se
vendi ynë e ka merituar pavarësinë, se qytetarët tanë e kanë merituar
pavarësinë, rendin demokratik dhe perspektivën evropiane”, ka thënë
kryeministri Thaçi.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar pjesëmarrjes së pjesëtarëve të
komunitetit serb në këto zgjedhje. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në
Prishtinë, Christopher Dell u shpreh i kënaqur me faktin se mijëra qytetarë të
komunitetit serb dolën në votime me gjithë porositë kundër këtyre zgjedhjeve që
u janë dërguar atyre nga autoritetet në Beograd. Ambasadori Dell tha se dalja
në votime që në orët e mëngjesit ishte trimëruese. “Duket se ka më shumë votues këtu sesa që kishte në një shkollë që
vizitova në qendër të Prishtinës”, tha ambasadori Dell, i kënaqur që
pjesëtarët e komunitetit serb po marrin pjesë në votime për të zgjedhur
drejtuesit e komuna të reja.
Një nga kandidatët për postin e kryetarit të Gracanicës, Momcillo Trajkovic
nga Lëvizja Serbe e Rezistencës, tha se dalja në zgjedhje është një e keqe më e vogël sesa mos dalja në votimet
për komunën e re, ndërsa hodhi poshtë vlerësimet e përfaqësuesve politikë serb
të veriut të Kosovës sipas të cilëve pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme nënkupton
njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Pavarësisht
që kemi dalë në zgjedhje në nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, por pranojmë
institucionet që na mundësojnë të jetojmë normalisht. Çështja e statusit është
çështje e politikës së lartë”, tha Momcillo Trajkoviç.
Edhe nënkryetarja e Këshillit Kombëtar serb, Rada Trajkovic, tha se këto
zgjedhje krijojnë mundësi për vendosjen e vetë qeverisjes funksionale. “Tash e dhjetë vjet, serbët nga Kosova
ndjejnë nevojën dhe lufta ime ishte që të krijohet një pushtet i zgjedhur i
ligjshëm e funksional që do të përfaqësonte dhe bashkërendonte kërkesat e
qytetarëve serb”, tha zonja Trajkovic.
Numri më i vogël i votuesve është shënuar në komunat veriore të Kosovës të
banuara me shumicë serbe, në disa prej të cilave madje nuk kishin marrë pjesë
as një për qind e votuesve.
Ndërkaq, në
komunat me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës është shënuar një shtim i votuesve për dallim
nga herët e kaluara, madje në disa syresh ka pasur më shumë votues nga ç’kishte
në zgjedhjet e organizuara nga qeveria serbe.
Zgjedhjet e sotme do të jenë më ndikim të madh në procesin e
decentralizimit të pushtetit i cili parasheh krijimin e pesë komunave me shumicë
serbe. Vëzhguesit e pavarur vlerësojnë se zgjedhjet e sotme janë me rëndësi për
Kosovën e cila duhet të dëshmojë para bashkësisë ndërkombëtare, se është e aftë
të organizojë zgjedhje, t’i drejtojë ato dhe të respektojë rezultatet e tyre. Sipas
analistëve, rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të ushtrojë ndikim edhe në
zgjedhjet e radhës për pushtetin qendror, e mbase edhe në të ardhmen e
koalicionit aktual qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes
Demokratike të Kosovës.
Shikova paraqitjen e të gjithe liderëve të Partive politike të Kosovës si dhe burreshtetasëve që ishin shume të kulturuara dhe në nivel të pozitave qe mbanin. Përjashtim bëri paraqitja e Kryeministrit i cili me gishtin përpjete tregonte se i mungon kultura elementare prej politikani, i mungonin sjelljet elementare të një kryeministri , ishte thjesht nje paraqitje prej një palacoje cirku që është vërtet për te të ardhur keq. Dukej se kishte harruar fare se ishte heshtje zgjedhore, dhe se ishte në qendrën e votimit para përfaqesuesve të të gjitha partive politike, se aty votonte si nje qytetar i Kosoves e jo me shume, por megalomania e një katundari te pagdhendur (lus të më falin fshatarët se edhe vet rrjedh nga fshati) e të pa kulturuar i dha nje hije të keqe qendrës zgjedhore ku u paraqit kryeministri e që do të duhej të ishte e kundërta. Nuk jam antar i asnjë partie politike. Ju lutem të ma botoni komentin. Nga Autori: Mali (Gjermani) 11-15-2009 - 15:33:17
2. Urime Kosoves
I uroj popullit te Kosoves suksese ne votime me dashuri e respekt ndaj njeri tjetrit per lulezimin e forcimin e shtetit te pavarur te Kosoves me durim e humanizem ne mbrojtjen e respektimin e pakicave kombetare. Ne kete dite historike per te ardhmen demokratike te Kosoves me dashamiresi kam edhe nje sugjerim: ne 2 milion popull me duket pa vend e teper e egzagjeruar ekzistenca e 72 partive politike. Shume doktore thote populli e nxjerin cyryk femijen e shume parti e demtojne vazhdimesine normale te demokracise. Ky model u aplikua ne Shqiperi e populli yne ka 19 vjet qe shikon vetem endrra per demokracine. Ju lutemi referojuni per kete ndihme miqeve te medhenj te Kosoves. Nga Autori: Petro Jashari (MI. U S A) 11-15-2009 - 14:44:44
3. koment
Sot eshte nje dite e madhe per Republiken e Kosove, sepse jane zgjedhjet e para pas Pavarsise se vendit, andaj e mira e se mires eshte qe kto zgjedhje te shkojne te qeta, sepse votojme per njerezit tane, per shqiptaret, pa marr parasysh se ciles parti i perkasin mbi te gjitha jane shqiptare. Nga Autori: sevda (kline) 11-15-2009 - 13:34:42
Dërgoni Komentin
Dërgoni komentin për këtë artikull që të botohet në faqen tonë të internetit. Adresa juaj e e-mailit nuk do të publikohet.
Duke përdorur këtë formë ju jeni dakord për sa më poshtë: Gjithë komentet do të rishikohen. VOA mund t'i editojë komentet tuaja para publikimit. Jo të gjitha komentet do të publikohen. VOA rezervon të drejtën të përdorë komentet tuaja në transmetimet e saj. Rregullat për botimin e komenteve