Presidenti amerikane Barak Obama dhe homologu i tij rus Dmitri Medvedev
thanë se kanë ende në plan që deri në fund të vitit të zëvendësojnë traktatin
për pakësimin e armëve bërthamore. Të dy udhëheqësit u takuan sot në Singapor
pas mbylljes së punimeve të Forumit të Azi-Paqësorit për Bashkëpunimin
Ekonomik. Presidenti Obama dhe presidenti Putin janë angazhuar të zëvendësojnë
traktatin Start-1, i cili skadon më 5 dhjetor.
Në përpjekje
për të bërë përparim gjatë samitit ekonomit të vendeve të Azi-Paqësorit,
presidenti Barak Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të
zëvendësojnë traktatin për pakësimin e armëve bërthamore deri në fund të vitit.
Në takimin e tyre pas samitit, presidentët Obama dhe Medvedev njoftuan se ish
armiqtë e Luftës së Ftohtë po bëjnë përparim të ndjeshëm në negociatat për të
zëvendësuar marrëveshjen START.
"Negociatorët tanë kanë bërë përparim të shkëlqyer gjatë këtyre muajve.
Synimi ynë vazhdon të jetë mbyllja e negociatave për të nënshkuar një
marrëveshje para fundit të vitit. Kam besim se në se punojmë dhe kemi parasysh
urgjencën e veprimit, duhet të jemi në gjendje të përfundojmë. Besoj se të dyja
palët po punojnë shumë për të zgjidhur çështje të vështira teknike me vullnet
të mirë".
Në turneun e pare në Azi, pas 10
muajsh në detyrë, presidenti Obama tha se palët diskutuan marrëveshjen që do të
pasojë atë të vitit 1991.
Zoti Medvedev tha se shpreson që
negociatorët e të dyja vendet do të përfundojnë tekstin e dokumentit brenda
dhjetorit.
Presidentët Obama dhe Medvedev ranë
dakort në prill të arrinin një marrëveshje të re për pakësimin e armëve
bërthamore që do të zëvendësonte marrëveshjen ekzistuese të vitit 1991 të nënshkruar
nga presidenti George H.W. Bush dhe homologu i tij, Mihail Gorbaçov.
Lidhur me programin bërthamor të
Teheranit, presidenti Obama tha se Iranit nuk po i mbetet shumë kohë për të
nënshkruar një marrëveshje për pasurimin e uraniumit të Iranit në një vend
tjetër. Zoti Medvedev tha se ende shpreson ta bindë Iranin të dërgojë uraniumin
e tij për pasurim në Rusi. Në se plani dështon, tha Medvedev, në tryezën e
bisedimeve mbeten alternativa të tjera. Ai ka thënë se sanksione të tjera
kundër Iranit janë të mundshme nëse Teherani nuk pranon inspektorë për të provuar
se nuk po përpiqet të prodhojë bombë bërthamore.