Zëri i Amerikës Albanian
Burim i besuar lajmesh dhe informacioni

Tekst i Thjeshtë
Kërkoni

 
Përfshirja e grave në jetën politike të Maqedonisë, ende në fazë fillestare


18-02-2004

Me ftesë të Departamentit amerikan të Shtetit, në Uashington ndodhet një grup zëdhënësish të disa partive politike nga Maqedonia, midis të cilëve edhe zëdhënësja e Partisë Bashkimi Demokratik per Integrimin, Ermira Mehmeti, e cila u intervistua nga Zëri i Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zonjusha Mehmeti, a mund të na thoni diçka në lidhje me programin që po ndiqni gjatë vizitës tuaj këtu në Shtetet e Bashkura?

Ermira Mehmeti: Ky është një program që Departamenti amerikan i Shtetit organizon për vizitorë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim që personat e dalluar në sfera të ndryshme në vendet e tyre, të vijnë e të njihen për së afërmi me atë se si funksionojnë Shtetet e Bashkuara. Këtë vit ambasada amerikane në Shkup përgatiti një program për zëdhënësit e partive politike, që ata të njihen me çështjet politike, ekonomike dhe sociale këtu në Shtetet e Bashkuara. Ne do të qendrojmë për tri javë, do të zhvillojmë vizita këtu në Uashington, pastaj do të udhëtojmë për në Dallas të Teksasit, pastaj shkojmë në Feniks të Arizonës, në Burlington të Vermontit. Vizita jonë përfundon në Nju Jork dhe prej andej kthehemi në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: Zonjusha Mehmeti, ky është një kurs, pra, kryesisht për zëdhënësit e partive politike të ndryshme të Maqedonisë. Më lejoni të bëj një paralelizëm: çfarë të përbashkët shikoni ju midis punës suaj, si zëdhënëse e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrimin dhe zëdhënësve këtu në Shtetet e Bashkura?

Ermira Mehmeti: Në fakt një paralelizëm i tillë është vështirë të bëhet. Natyra e punës, kushtet e punës, mënyra e funksionimit të komunikimit është shumë më e ndryshme, thellësisht e ndryshme. Ndoshta para së gjithash për shkak se ne veprojmë në një rajon shumë të vogël dhe komunikimi, mënyra e bashkëpunimit me gazetarët, me mediat ndryshon nga mënyra se si funksionion ky proces këtu në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo është një eksperiencë e mirë dhe ne të gjithë jemi duke mësuar mjaft, jemi duke mësuar si t’a përmirësojmë punën tonë dhe t’a bëjmë atë më produktive atje, në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: A mund të bëni një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes në Maqedoni? Si po funksionon koalicioni midis partive maqedonase dhe Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim ku ju jeni zëdhënëse?

Ermira Mehmeti: Ky është një proces i cili vazhdon. Dhe krahas skepticizmit të madh të treguar apo të shprehur madje edhe nga optimistët më të mëdhenj, koalicioni mes Lidhjes Demokratike dhe Bashkimit Demokratik për Integrim është duke vepruar, dhe rezultatet nga puna tash mëse njëvjeçare janë të dukëshme. Duhet patur parasysh se flasim për një refomim të tërësishëm apo të rëndësishëm të sistemit në Maqedoni dhe për vendosjen e vlerave dhe standarteve të reja të cilat në të kaluarën kanë ekzistuar vetëm me fjalë. Ky proces i reformave nuk është i lehtë, pasi bëhet fjalë për ndryshim të një mentaliteti të tërësishëm, megjithatë ne jemi optimistë. Qëllimi apo vizioni i Bashkimit Demokatik për Integrim është që të bëhen ndryshime esenciale, siç ishte legalizimi i Universitetit të Tetovës, për shkak se ne konsiderojmë se arsimimi është baza apo themel bartës i ndryshimeve, i emancipimit, i zhvillimit, i përparimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Para nesh qendron një sfidë shumë e madhe: procesi i decentralizimit. Është paketa e famshme e ligjeve. Përfshihet, pra, ndarja e re territoriale e Maqedonisë, komunat e reja, financimi i komunave, pastaj çështje të tjera delikate, siç është ligji për përdorimin e gjuhës, ligji për përdorimin e flamujve. Këto janë disa nga projektet që cilat i kemi në programin tonë për vitin 2004.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët aspektin e mentalitetit në Maqedoni, se atje po ndryshon mentaliteti në politikë. Sa është përfshirë gruaja në politikë në Maqedoni, duke patur parasysh që historikisht gruaja, qoftë ajo shqiptare, apo maqedonase nuk ka qenë e përfshirë në jetën politike?

Ermira Mehmeti: Po është e vërtetë. Ne akoma jemi në një fazë fillestare të përfshirjes së femrës në rrjedhat politike në Maqedoni. Do të flas më tepër për komunitetin shqiptar apo partitë politike shqiptare për shkak se këto janë ndoshta të një interesi primar. Por nuk dua të them se kjo ndodh vetëm me partitë politike shqiptare, përkundrazi, tradicionalisht me formimin e partive politike në Maqedoni, secila parti politike ka formuar edhe organizatën e gruas apo forumin e gruas. Por fatkeqësisht forume të tilla kanë patur një rol mjaft simbolik.

Zëri i Amerikës: Po tani ka ndryshuar ky rol? A po merr gruaja formalisht pjesë në politikë, apo si diçka e natyrshme?

Ermira Mehmeti: Formalisht qëndron obligimi për 30 për qind të përfaqësimit të femrës në politikë, megjithatë Bashkimi Demokratik për Integrim e ka njohur rëndësinë dhe rolin e madh që luan gruaja në shoqëri. Këtu kam parasysh dhe rolin që luajti gruaja shqiptare gjatë konfliktit në vitin 2001 dhe ajo meriton dhe ka gjithë respektin e duhur nga ana jonë. Jo rastësisht, edhe zëdhënësja e partisë është femër. Kemi një nënkryetare, që në fakt është hera e parë që një parti politike shqiptare në Maqedoni të ketë një femër në këtë pozitë. Kjo nuk është një betejë e lehtë, por përkundrazi është një betejë mjaft komplekse, ku femra duhet të dëshmojë aftësinë e saj, para së gjithash, por edhe guximin për t’u ballafaquar me çështje bartëse, për të qenë faktikisht pjesë e lëvizjeve të cilat krijojnë shtetin dhe krijojnë histori pas vetes. //az//

emailme.gif Dërgoja këtë tekst një miku
printerfriendly.gif Variant i lehtë për t'u shtypur

  Lajmi Kryesor
Rehn bën thirrje për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri

  Lajmet
Presidenti Obama shënon Ditën e Veteranëve
OSBE kritikon Kosovën për çështjen e kthimeve
Tiranë: Nderohet përkthyesi i Biblës, Simon Filipaj
Serbia deklaron shpërthimin e një epidemie të gripit H1N1
Shqipëri: Shtohen rastet e prekjes me gripin H1N1
Prirjet e gjelbra: Në modë, kopshtet në taracat e ndërtesave
Në SHBA, veteranët gëzojnë respekt të veçantë
SHBA: Ankand për makinat e viteve 1950
Dita e Veteranëve në Britani, këtë vit me kuptim të veçantë
Ekzekutim për snajperin që terrorizoi Uashingtonin
Gjirokastër: Burg për të akuzuarit në çështjen e pallatit
Kosovë: Zgjedhjet komunale në Prishtinë
Uashingtoni, thirrje Phenianit të mos shkallëzojë tensionet në Detin e Verdhë
Parlamenti turk debaton të drejtat e pakicës kurde
A është i dobishëm skanimi për zbulimin e kancerit?
Një muzeum kombëtar i luftës në Nju Orlins
Kavalia: Demonstrim i mahnitshëm i forcës dhe bukurisë së kuajve
Zëri i Amerikës në shqip, 10 vjet televizion
Presidenti Obama nderon viktimat e sulmit në bazën Fort Hud
Festimet e  20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit
Shqipëria kujton rënien e Murit të Berlinit
20 vjet pas rënies së Murit bota kujton përmbysjen e komunizmit