Zëri i Amerikës Albanian
Burim i besuar lajmesh dhe informacioni

Tekst i Thjeshtë
Kërkoni

 
Henry Perrit: Pavarësia e Kosovës do të lehtësonte luftën kundër korrupsionit


28-10-2006

Kolegji Juridik Chicago-Kent në Institutin e Teknologjisë të shtetit Illinois publikoi para pak ditësh një raport mbi korrupsionin në Kosovë. Raporti i përgatitur nga ish dekani i fakultetit, tani profesor në këtë kolegj, Henry Perrit dhe disa studentë, është bazuar në kërkimet e bëra gjatë një projekti veror në Kosovë. Profesor Perrit vë në dukje se nëse statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë pavarësia, kjo do të lehtësonte luftën kundër korrupsionit, meqenëse udhëheqja politike do të mbante përgjegjësinë për zhdukjen e fenomenit.

Profesor Henry Perrit thotë se askush nuk e di me saktësi se sa i përhapur është fenomeni i korrupsionit në Kosovë, megjithatë shton ai, si vendasit ashtu edhe ndërkombëtarët besojnë se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet dhe arrin deri në qarqet më të larta të udhëheqjes qeveritare dhe të partive politike. Po a ka dalë ky fenomen jashtë kontrollit? Profesor Perrit thotë se ka disa mënyra për ta mbajtur korrupsionin nën kontroll.

“Sfida është se nuk mund të ketë një fushatë efikase kundër korrupsionit nëse mungon vullneti politik në nivelet e larta.  Dhe ky vullnet deri tani ka munguar si në udhëheqjen politike vendore, ashtu edhe në administratën civile ndërkombëtare. Në raportin tonë thuhet qartë se nëse Kosova bëhet e pavarur dhe dëshiron të ketë një të ardhme të begatë, atëherë kjo tolerancë dhe mungesë vullneti politik duhet të ndryshojë”.

Profesor Perrit thotë se zgjidhja e statusit përfundimtar që do të kishte formën e pavarësisë do të ndihmonte dukshëm në luftën kundër korrupsionit, sepse përderisa komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të ketë veton në çdo vendim të rëndësishëm publik, atëherë udhëheqësit e zgjedhur vendor të Kosovës mund t’i shmangen lehtë përgjegjësisë duke thënë se ata nuk kanë autoritet dhe nuk e kanë fjalën e fundit.

“Statusi përfundimtar në formën e pavarësisë do të ndihmonte në dy aspekte: së pari do të zbehte tërheqjen e vëmendjes që ka shkaktuar procesi i zgjidhjes së statusit, dhe udhëheqja politike e Kosovës do të arrinte të përqendrohej në disa çështje të rëndësishme të politikave publike.  Së dyti, pavarësia do ta bënte udhëheqjen politike përgjegjëse për veprimet e veta për herë të parë”.

Profesor Perrit thotë se deri tani komuniteti ndërkombëtar ka hezituar të ndërmarrë hapa për ndryshimin e gjendjes, madje edhe  ka bllokuar hetime sensitive që mund të arrinin deri në nivelet e larta të politikës apo shoqërisë.  Komuniteti ndërkombëtar, thotë ai,  është mjaft i frikësuar se nëse hetimet zbulojnë fakte për njerëz me influencë si në politikë ashtu edhe në shoqëri, atëherë hapja e dosjeve ndaj këtyre personave mund të nxiste trazira në vend.

“Trazirat mund të dëmtonin negociatat dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar, që nga marsi 2004, e ndoshta edhe më parë, është tmerruar nga frika e mungesës së stabilitetit në Kosovë”.

Nga ana tjetër, thotë profesor Perrit, edhe sistemi vendor i drejtësisë nuk po bën asgjë për të luftuar korrupsionin. Kjo ndodh për shkak të mungesës së profesionalizmit, frikës, dhe se një pjesë e këtij sistemi është vetë i përfshirë nga korrupsioni.

Jeffrey LaMirand, një nga studentët kryesorë në këtë projekt thotë se është mirë që çështja e korrupsionit të trajtohet sa më shpejt dhe përpara se shoqëria, dhe sidomos të rinjtë, të fillojnë të humbin besimin se një fenomen i tillë nuk mund të zhduket.

“Gjëja që më ka bërë përshtypje nga kultura e njerëzve në Kosovë është se ata kishin mjaft interes në çështjen e korrupsionit dhe nuk tregoheshin cinik ndaj saj. Dhe rinia me të vërtetë që ishte e interesuar ta zhdukte këtë fenomen”.

Profesor Perrit thotë se njerëzit duhet të fillojnë të flasin më hapur për problemin e korrupsionit në mënyrë që ai të pranohet si problem shumë i dëmshëm për shoqërinë dhe të ardhmen e Kosovës. Ata duhet të fillojnë të diskutojnë se cilat duhet të jenë ndryshimet e nevojshme strukturore dhe politike pas pavarësisë, për të filluar sa më shpejt një fushatë efikase kundër korrupsionit.

emailme.gif Dërgoja këtë tekst një miku
printerfriendly.gif Variant i lehtë për t'u shtypur

  Lajmi Kryesor
Shënohet 20-vjetori i rënies së Murit të Berlinit

  Lajmet
Presidenti Obama përshëndet miratimin e ligjit elektoral në Irak
Kosovë: Zgjedhjet komunale dhe pjesëmarrja e serbëve
Shqipëri: Zbulohen pjesë të anijes "Volage" në ujrat e Sarandës
Pikëpamjet e qeverisë amerikane, Muri i Berlinit
Kënga "Kërkoj liri", më e pëlqyera në Gjermani para rënies së Murit të Berlinit
Parlamenti i Irakut miraton ligjin elektoral
SHBA: Shefi i Shtatmadhërisë mbështet shtimin e trupave në Afganistan
Obama vlerëson ligjvënësit për miratimin e reformës shëndetësore
Pakistan: 13 të vrarë nga një shpërthim vetvrasës në Peshavar
SHBA: Anija me çelikun e Kullave Binjake, mbërrin në Nju Jork
Kina do të japë 10 miliardë dollarë hua për Afrikën
Afganistan: 7 ushtarë afganë vriten gabimisht nga NATO
Maqedonia në dilemë për mbajtjen e referendumit mbi ndryshimin e emrit
Rënia e Murit të Berlinit dhe arkivat e policisë sekrete gjermane Stasi
Medvedev: Rënia e Murit të Berlinit nuk plotësoi të gjitha shpresat e lindura
Lumi Misisipi, kufiri mes lindjes dhe perëndimit të SHBA
Masakra në Fort Hud, reagon komuniteti mysliman
Teknologji të reja ekspozojnë shkeljen e të drejtave të njeriut
Ukrainë: Pjesë të  vendit në karantinë, si pasojë e gripit H1N1
Udhëheqësit e G-20: Ka përmirësim ekonomik e financiar në muajt e fundit
Obama: Amerika në zi për 13 viktimat e bazës ushtarake Fort Hud
SHBA: Tetori shënoi nivelin më të lartë të papunësisë në 26 vjet
Shqipëri: Dhuna ndaj gazetarit Baze, takim mbi lirinë e shtypit
Kosovë: Komuna e Pejës në prag të zgjedhjeve komunale