Në ceremoninë e sotme për nder të zotit Ahtisaari në Oslo ishte edhe
Ambasadori Frank Uizner, ish-i dërguari amerikan në negociatat mes Kosovës dhe
Serbisë. Në një një intervistë që i dha dje Zërit të Amerikës para se të nisej
për në Norvegji, ambasadori Uizner vlerësoi kontributin e ish-presidentit
finlandez për paqen në botë. Duke folur për Kosovën, ai e pranoi se paqartësitë
dhe problmet ekzistojnë, por theksoi se 10 muajt e parë të pavarësisë kanë ecur
mirë dhe vëmendja duhet përqendruar tek ajo që është arritur. Në intervistën që dha nga Nju Jorku, Ambasadori Uizner tha se parashikon
që politika e administratës së re amerikane për Ballkanin të vazhdojë në gjurmët
e atyre pararendëse.
Zëri i Amerikës: Ambasador Uizner, ndërsa niseni për të
marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel të Paqes për zotin
Ahtisaari, a mund të na thoni mendimin
tuaj për punën e tij?
Ambasador
Frenk Uizner: Kam
pasur nderin dhe kënaqësinë ta njoh Presidentin Ahtisaari që prej afro tre
dekadash. E takova për herë të parë kur ai përfaqësonte komunitetin ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së
Namibisë dhe më pas kur ishte President i Finlandës, shpesh e kontaktoja. Por
bashkëpunimin më të ngushtë me të e para kur ai po negocionte statusin
përfundimtar të Kosovës si i dërguar i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të
Bashkuara. Në ceremoninë e Oslos ai do të nderohet për kontributin e
jashtëzakonshëm për paqen botërore dhe jam i lumtur që më ka ftuar të marr
pjesë si i ftuari i tij në këtë moment të jashtëzakonshëm. Ky është një moment
i veçantë për Kombet e Bashkuara, sistemin e tij, për Finlandën, popullin e saj
dhe për vetë Presidentin Ahtisaari.
Zëri
i Amerikës: Nuk ka
dyshim që për shqiptarët zoti Ahtisaari do të kujtohet për planin e pavarësisë
së Kosovës që ju sapo përmendët. Por vetë presidenti Ahtisaari ditët e fundit
ka shprehur pakënaqësi me gjendjen në Kosovë. EULEX-i sapo e ka filluar punën
atje. A mendoni se plani i zotit Ahtisaari po anashkalohet?
Ambasador
Frenk Uizner: Unë
besoj se statusi aktual i Kosovës, pavarësia e saj, pozicioni i saj i
komunitetin ndërkombëtar, dislokimi i misionit të EULEX-it, janë të gjitha të
parashikuara në planin Ahtisaari. Ky plan është ne themelin e rrugës që
vendosën të ndjekin Shtetet e Bashkuara kur njohën pavarësinë e Kosovës. Plani
Ahtisaari është korniza e pavarësisë pothuajse njëvjeçare të Kosovës dhe do të
vazhdojë të jetë e tillë edhe për disa kohë. Nuk besoj se po anashkalohet. Besoj se
është në thelb të angazhimit amerikan për paqen atje dhe i angazhimit të vetë
Kosovës për pavarësinë dhe të ardhmen e saj.
Zëri
i Amerikës: Ka
pasur debate për rolin dhe autoritetin e EULEX-it, misioni i të cilit sapo ka
filluar të përhapet në gjithë Kosovën. Cili është mendimi juaj për këto debate?
Ambasador
Frenk Uizner: Është e qartë që ka pasur disa argumenta dhe debate, gjë që është e kuptueshme
duke pasur parasysh natyrën e ndërlikuar të çështjes, mandatet që herë-herë dublojnë
njëri-tjetrin, faktin që Këshilli i Sigurimit nuk u lejua me pengesën e rusëve
të arrinte në një përfundim të qartë. Ka
paqartësi, ka një prani të OKB-së që vazhdon të ekzistojë, ndërkohë që Kosova
është e pavarur. Por unë mendoj që 10 muajt e parë të pavarësisë së Kosovës
kanë shkuar shumë mirë. Gjendja e sigurisë ka qenë e mirë, institucionet e reja
kanë filluar punën dhe sot është fillimi i misioni i EULEX-it, nga të dyja anët
e lumit Ibër. Kështuqë mendoj se të gjithë ne që ia duam të mirën Kosovës dhe
urojmë sukses për të ardhmen e saj, që duam paqe në Ballkan duhet të jemi të
kënaqur nga këta 10 muaj dhe duhet të themi se pavarësisht nga paqartësitë dhe
vështirësitë, nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe nga fakti që Serbia nuk e
ka pranuar pavarësinë e Kosovës, punët nuk po shkojnë edhe aq keq dhe ëndrra e
popullit të Kosovës po realizohet.
Zëri
i Amerikës: A mund
të mbajë EULEX-i një qëndrim për status neutral në Kosovë?
Ambasador
Frenk Uizner: Serbët po fusin konceptin e statusit neutral, sepse nuk e kanë pranuar
statusin, por Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mirë e komunitetit
ndërkombëtar e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për paanësi në
këtë status: Kosova është anëtare e familjes së shteteve dhe pikë.
Zëri
i Amerikës: Pas
ndërhyrjes së OKB-së me nxitjen e Serbisë, kritikët dhe protestuesit në Kosovë
paralajmërojnë se jemi përpara një ndarjeje ose kërcënimi të tërësisë
territoriale të Kosovës. A ka bazë një frikë e tillë sipas mendimit tuaj?
Ambasador
Frenk Uizner: E kuptoj këtë lloj shqetësimi dhe
solidarizohem me të. Në fund të fundit, Kosova ka kërkuar prej një kohe të
gjatë të ketë një status të qartë dhe përfundimtar, por kjo nuk ndodhi. Në fakt
ka misione që dublojnë njëra-tjetrën, akoma kemi rezolutën 1244 njëkohësisht, por
Kosova është e pavarur dhe plani Ahtisaari ka filluar të funksionojë. Unë i
kuptoj problemet, i kuptoj dyshimet por le të shohim ato që janë realizuar:
Kosova është e pavarur, është njohur nga më shumë se 50 vende, vende me rëndësi
kyçe, që janë partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës dhe miqtë e saj. Ky vend i
ri ka filluar të funksionojë, ka institucionet e veta, ka kryer zgjedhjet e
veta, ka realizuar arritje të rëndësishme. Besoj se meritat i takojnë atyre që
kanë treguar vetëpërmbajtje, gjë që duhet të vazhdojë, duhet lejuar EULEX-it
vazhdojë punën e vet, duhet të përmirësojë situatën e rendit, paqen dhe
drejtësinë në vend, duke lejuar Kosovën të ecë përpara. Por mendoj se fillimi
ka qenë i mbarë.
Zëri
i Amerikës: Ju
përmendët disa herë faktin që ka paqartësi. Si mendoni ju se do të zhduken ato,
vetëm me kalimin e kohës, apo ka ndonjë plan dhe përpjekje për t’i shmangur
ato?
Ambasador
Frenk Uizner: Do
të doja të kisha një përgjigje për këtë pyetje. Nuk besoj se do të mund të
zhduken së shpejti, përsa kohë Serbia nuk ndryshon qëndrimin e saj të
mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe mbështetet në këtë drejtim nga rusët.
Nuk ka një zgjidhje përfundimtare brenda Kombeve të Bashkuara, kështuqë
paqartësitë mbeten. Por të mos harrojmë atë që është realizuar: Kosova është
shtet i pavarur dhe është njohur si e tillë. Detyra e vërtetë përpara është të
lëmë pas shqetësimin për paqartësinë. Puna e vërtetë është ajo për ndërtimin e
Kosovës, institucionet e saj, misionet e saj të drejtësisë, ekonominë e saj, të
hapen vendet e punës, të krijohet jeta e një vendi të lirë dhe të begatë, me
shpresa të vërteta për të rinjtë e tij.
Zëri
i Amerikës: Në
janar në Uashington do të ketë një administratë të re, nën drejtimin e zotit
Obama. Me gjithë problemet botërore, krizën financiare, dy luftra dhe sfida të
tjera ndërkombëtare, përfshirë Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet me Rusinë,
çfarë vendi mendoni se do të zërë Ballkani në politikën e jashtme duke pasur
parasysh se Kosova është një shtet i sapoformuar dhe ka akoma çështje të
pazgjidhura në atë rajon?
Ambasador
Frenk Uizner: Vërtet ka çështje të pazgjidhura në rajon, por nga përvoja ime si
përfaqësues i kësaj qeverie në negociatat për statusin e Kosovës, mund të them
se politika e kësaj administrate përputhej plotësisht me atë të kaluarën, pra
ishte një politikë kombëtare. Ne amerikanët e pranuam faktin që duhet të kishte
paqe në rajon, që pasojat e shpërbërjes tragjike të ish-Jugosllavisë duhej të
eliminoheshin, duhej të merrnin zgjidhje ligjërisht, duhet të kishte paqe ne
rajon dhe rajoni të ecë përpara. Këto janë politika kombëtare që kanë
mbështetje nga të dyja palët dhe Kongresi. Nuk kam dyshim që do të vazhdojnë të
udhëheqin politikën e administratës së zotit Obama, ashtu siç udhëhoqën
administratën e presidentit Bush, dhe ate të Presidentit Klinton më parë. //kk//