Shtrirja e misionit të EULEX-it në Kosovë, që u parapri nga plani
prej 6 pikash i OKB-së, është pritur me reagime të ndryshme. Ndonëse zyrtartë
të lartë amerikanë dhe evropianë kanë thekusar se pavarësia e Kosovës është e
pakthyeshme dhe se ndarja nuk do të lejohet, analistë të ndryshëm kanë ngritur
shqetësime se ndarja mes dy komuniteteve në Kosovë po konsolidohet.
Shërli Kloi Dioguardi, këshilltare për çështjet
e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane në një intervistë që dha
nga Nju Jorku për Zërin e Amerikës thekson se synimi i Beogradi ka qënë
gjithmonë ndarja e Kosovës duke shtuar se beteja e të ardhmes nuk do të jetë në rrugë, por në në shtypin
dhe parlamentet e vendeve të tjera.
Zëri i Amerikës: Zonja Dioguardi, cili është mendimi juaj për zhvillimet e fundit në
Kosovë të cilat ngjallën shumë shqetësime tek udhëheqja dhe popullsia në Kosovë?
Shërli Klois DioGuardi: Edhe unë jam shumë e shqetësuar. Plani me gjashtë pika është i
mbështetur vetëm tek rekomandimet e Beogradit dhe sipas mendimit tim tregon se
Perëndimi po i kthehet sërish politikës që i jep mundësi Beogradit të ketë të
drejtën e fjalës për të ardhmen ekonomike dhe politike të Kosovës. Duhet kuptuar se Beogradi nuk ka menduar
ndonjëherë se do të bllokonte pavarësinë e Kosovës, synimi ka qenë ndarja e
Kosovës, marrja e Veriut dhe unë jam e shqetësuar për klauzolat e planit që do
ta lejonin një gjë të tillë. Plani lejon vendet e EULEX-it që të mos ta
pranojnë sovranitetin e Kosovës, me idenë e qëndrimit të paanshëm ndaj statusit.
Nga ana tjetër, si u rikthye në lojë rezoluta 1244 sipas së cilës Kosova është
pjesë e Serbisë? Ndërkohë Veriu nuk është nën kontrollin e autoriteteve të
qeverisë. Nëse vazhdon kjo, do të bëhet fjalë për struktura paralele dhe një
vend të ndarë etnikisht, edhe më keq sesa Bosnja. Ky nuk është drejtimi i duhur.
Zëri i Amerikës: Dhe sipas jush cila është rruga e daljes nga kjo prirje?
Shërli Klois DioGuardi: Mendoj se duhet të fillojmë me një pyetje shumë të rëndësishme: Si
mundet që një sistem apo një plan që minon aftësitë e qeverisë së Kosovës për
të kontrolluar territorin e saj, si edhe që lehtëson krijimin e shumë lloj lidhjeve të
ligjshme dhe jashtëligjshme mes serbëve të Kosovës dhe Beogradit, të sjellë
paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon? Është koha që të vihet para përgjegjësisë
komuniteti ndërkombëtar, duke pasur parasysh edhe çfarë po ndodh në Bosnje. Është
një sistem i dështuar i cili nuk duhet përsëritur në Kosovë. Komuniteti
ndërkombëtar duhet t’i bëjë ballë Beogradit dhe të kthehet tek parimet e
deklaratës së pavarësisë, duke vendosur një demokraci të vërtetë në Kosovë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se një gjë e tillë është e mundur në këtë kohë?
Shërli Klois Dioguardi: Pa diskutim. Por do të duhet angazhimi i aktorëve shqiptarë. Serbia ka
punuar në mënyrë shumë aktive për të realizuar synimet e saj. Pothuajse e ka
frenuar krejtësisht njohjen e pavarësisë, e cila deri tani është bërë nga 53 shtete, por nuk dihet sesi do të
vazhdojë, po ndryshon realitetin në terren dhe mbi të gjitha po vazhdon
propagandën antishqiptare. Ndërsa nga ana tjetër jemi përballë një pasiviteti
të udhëheqësve të Kosovës dhe jam shumë e shqetësuar nga një fakt i tillë. Pas
luftës, udhëheqësit shqiptarë nuk arritën ta përdorin në favorin e tyre prirjen
proshqiptare. Po ashtu ata duhet ta kthejnë vëmendjen e perëndimit tek viktimat
e luftës, e cila nuk filloi nga të gjithë faktorët në Ballkan, por nga
Millosheviçi. Viktimat e luftës ende janë gjallë. Nuk mund të ndjekësh një
politikë me synimin për të bërë të lumtur Serbinë dhe shqiptarët dhe të mendosh
që një gjë e tillë plotëson objektivat e Shteteve të Bashkuara në Evropën
juglindore. Kështu veçse krijohen një sërë shtetesh të ndara etnikisht dhe të
dështuara.
Zëri i Amerikës: Të krijohet ideja se udhëheqësit e Kosovës nuk duan të shfaqin mosmirënjohje
ndaj Perëndimit, por nga ana tjetër është e kuptueshme që ata të jenë të
shqetësuar për situatën. Si mund të bashkëjetojnë këto dy ndjesi?
Shërli Klois Dioguardi: Pikërisht kjo është dilema, por problemi është që politikanët
shqiptarë nuk e kanë ngritur zërin. Nuk është e mjaftueshme që të thonë që për
shkak të mirënjohjes nuk mund të kundërshtojnë pozicionet e Perëndimit. Një gjë
e tillë krijon terrenin për mosveprim. Besoj se një pjesë e dilemës vjen nga fakti që ka vetëm një mënyrë për
të sfiduar dhe një gjë e tillë mund të krijonte ekstremizëm. Lufta në Ballkan
nuk është përgjigjia dhe nuk do të tolerohet, por diplomacia e vërtetë është
rruga që duhet ndjekur. Asgjë nuk mund t’i ndalojë politikanët shqiptarë që të
vendosin autoritetin në shtetin e ri të pavarur të Kosovës. Shikoni shembullin
e trenit serb që hyri në Kosovë duke injoruar doganën. Policia duhet t’i
ndalojë ngjarje të tilla. Ata duhet të ngrenë çështjen e 2 mijë të zhdukurve, e
kompensimeve nga ana e Beogradit për luftën. Ndërsa flitet gjithmonë për gjendjen
e pakicës serbe, duhet të ngremë pyetjen për të drejtat e shqiptarëve në zona të tjera të Ballkanit, e shkeljes flagrante
të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Duhet folur
për arsimin e lartë. Do të kemi një Universitet Serb në veri të Kosovës, pse jo
një universitet shqip në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Zëri i Amerikës: Roli i organizatave si e jauja është që Kosova të jetë sa më pranë vëmendjes së
adminsitratës amerikane. Në kushtet e
reja të krijuara në Kosovë dhe zgjedhjet në Amerikë, çfarë roli po luan
organizata juaj?
Shërli Klois DioGuardi: Me ardhjen e administratës së re, ne kemi vendosur lidhjet me
zv/presidentin e zgjedhur Bajden dhe do të rifillojmë përpjekjet me Kongresin.
Por dua të theksoj se përpjekjet tona nuk janë të mjaftueshme. Ka ardhur koha
që politikanët shqiptarë të Kosovës dhe pjesëve të tjera të Ballkanit të
ndërmarrin një fushatë të orkestruar të tërheqjes së opinionit publik. Beteja e
të ardhmes nuk është në rrugë, por në në shtypin dhe parlamentet e vendeve të
tjera. //kk//