VOANews.com

Voice of America Burim i besuar lajmesh dhe informacioni

 
Lajme në 45 Gjuhë
SHBA heq kufizimet për udhëtimet, transferimin e parave në Kubë


14-04-2009

Presidenti Obama ka hequr kufizimet për udhëtimet dhe transferimin e parave të kubanezo-amerikanëve ndaj të afërmve të tyre në Kubë. Është një ndryshim shumë i madh krahasuar me qëndrimin më të ashpër të administratës së ish-Presidentit Bush ndaj ishullit komunist. Shtëpia e Bardhë deklaroi dje se Presidenti Obama i ka udhëzuar Sekretaren e Shtetit, si edhe sekretarët e Thesarit dhe Tregëtisë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që t'i heqin kufizimet.                                               

Kjo lëvizje nuk e heq embargon 47 vjeçare të Shteteve të Bashkuara kundër Kubës. Por është një hap lehtësues.

Rreth 1.5 milionë amerikanët që kanë të afërm në Kubë do të jenë më të lirë që t'i vizitojnë ata dhe t'u dërgojnë ndihma financiare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Robert Gibs thotë se të gjitha kufizimet ndaj udhëtimit dhe dërgesave të parave po hiqen. Në të njëjtën kohë, administrata e Presidentit Obama po autorizon më shumë lidhje telekomunikacioni me Kubën dhe po zgjeron listën e ndihmave humanitare që mund të dërgohen në Kubë.

Zoti Gibs thotë se të gjitha këto hapa kanë si synim të afrojnë ditën  kur populli kuban të mund të vendosë lirisht për të ardhmen e vendit të tij.

"Të gjithë ata që përqafojnë vlerat demokratike mezi presin që të vijë dita kur Kuba të respektojë të drejtat bazë njerëzore, politike dhe ekonomike të të gjithë qytetarëve të saj. Presidenti Obama beson se hapi që ai ndërmori sot do të kontribuojë për kthimin në realitet të këtij objektivi".

Por zoti Gibs shton se vetëm veprimet e Presidentit nuk do të mjaftojnë. Ai shton se edhe udhëheqësit e Kubës duhet të ndërmarrin hapa.

Ky hap përmbush një nga premtimet e Presidentit Obama gjatë fushatës dhe merret në prag të takimit të vendeve të Amerikës Latine që mbahet këtë fundjavë në Trinidad dhe Tobago.

Udhëheqësit e vendeve të Amerikës Qendrore dhe Lindore që do të marrin pjesë në takim kanë inkurajuar Shtetet e Bashkuara që të ndjekin një politikë më të hapur ndaj Kubës.

Presidenti Obama ka lënë të kuptojë se do të kishte  vullnetin të angazhohej në një dialog diplomatik të kujdesshëm me Kubën.

Por njoftimi i djeshëm në Shtëpinë e Bardhë nuk jepte ndonjë sinjal për hapjen ndaj zyrtarëve të Havanës. Fokusi ishte tek shkëmbimet mes njerëzve, duke inkurajuar lidhjet familjare, dhe duke i hapur rrugë firmave amerikane të telekomunikacionit dhe shërbimeve satelitore radio-televizive që të kërkojnë të hyjnë në tregun kubanez.

Kritikët, përfshirë disa anëtarë kubano-amerikanë të Kongresit paralajmëruan se paratë e dërguara në Kubë do të përfundonin në xhepat e zyrtarëve komunistë të Kinës.

Dan Restrepo, drejtor për Çështjet e Hemisferës Perëndimore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë u tha gazetarëve se Presidenti Obama po i bën thirrje Havanës të ndalë vendosjen e gjobave ndaj parave të emigrantëve.        

"Ne po i heqim pengesat dhe qeveria kubaneze duhet të bëjë të njëjtën gjë duke lejuar Kubanezët që të ndihmojnë familjet e tyre", tha ai.

Në një ndryshim të praktikës së zakonshme të Shtëpisë së Bardhë, njoftimi u bë në dy gjuhë: zëdhënësi Gibs foli anglisht, ndërsa zoti Restrepo që ka të afërm në Kolumbi foli spanjisht.   

Ai iu përgjigj edhe disa pyetjeve në spanjisht të gazetarëve spanjisht-folës, duke shënuar herën e parë mesa mbahet mend që në Shtëpinë e Bardhë mbahej një konferencë shtypi dygjuhëshe.


E-mail This Article Dërgoja këtë tekst një miku
Print This Article Variant i lehtë për t'u shtypur
  Lajmi Kryesor
Shqipëri: Opozita ultimatum qeverisë për hapjen e kutive

  Lajmet
Ura e Mesit, monument kulture dhe pikë turistike në qytetin e Shkodrës
Maqedoni: Përkujtohet 101 vjetori i Kongresit të Manastirit
Komunikimet satelitore në ndihmë të operacioneve të kërkim shpëtimit
Rumania zhvillon sot zgjedhjet presidenciale
Fundoset një traget indonezian, 29 të vdekur, 240 veta shpëtohen
Të akuzuarit për sulmet e 11 shtatorit, do të deklarojnë se janë të pafajshëm
Irak: Përpjekje e deputetëve për të zgjidhur një ngërç në ligjin elektoral
Iran, manovra ajrore për mbrojtjen e impianteve bërthamore
Lady Gaga, ikona e re e muzikës amerikane
Shqipëri: Arrestohen dy zyrtarë nën akuzat për korrupsion
Konferencë ndërkombëtare në Gjirokastër për hapësirat urbane
Koment i qeverisë amerikane, zgjedhjet në Kosovë -  të suksesshme
Kosovë: Vazhdojnë reagimet rreth koalicionit qeverisës
Ujëvara e Niagarës ndër më mahnitëset në botë
Rritet numri i vetvrasjeve në ushtrinë amerikane
Hoteli më i madh në Los Anxhelos, përqafon praktikat e gjelbërta
Kosovë: PDK dhe LDK thonë se  vazhdojnë bashkëqeverisjen
OBSH: Të paktën 500 të vdekur nga gripi H1N1 javën e kaluar