Presidenti Barak Obama mbrojti
vendimin e tij për të bërë publike memorandumet ku shpjegohen me detaje metodat
e ashpra të marrjes në pyetje, të miratuara nga administrata e ish-Presidentit
Bush dhe të përdorura nga CIA kundër të dyshuarve për terrorizëm. Ai foli dje
gjatë një vizite në selinë e CIA-s, ku tha se teknika të tilla të ashpra nuk do
të përdoren në të ardhmen. Presidenti premtoi gjithashtu se identiteti i ofcerëve
të CIA-s në terren do të mbrohej. Zoti
Obama tha se teknikat e përdorura për të marrë në pyetje minojnë "autoritetin
tonë moral dhe nuk kontribuojnë në
sigurinë tonë". Vizita
ishte pjesërisht një përpjekje për të ngritur moralin e agjencisë vetëm disa
ditë pas bërjes publike të dokumentave:
Memorandumet ishin të detajuara dhe turbulluese. Katër
dokumentat e kohës së administratës së
Presidentit Bush tregonin hollësi të teknikave të marrjes në pyetje si mbytja e
simuluar që janë denoncuar gjerësisht në botë.
Presidenti
Obama e ndaloi përdorimin e këtyre teknikave pak pasi mori detyrën në janar. Ai
u tha punonjësve të CIA-s se ka ardhur koha që vendi në përgjithësi dhe veçanërisht
komuniteti i zbulimit t'i hedhin sytë nga e ardhmja.
"Duhet ta pranojmë që kemi
bërë disa gabime. Kështu mësojmë prej tyre. Por fakti që kemi guximin t'i
pranojmë ato dhe të ecim përpara më bën krenar që jam President i Shteteve të
Bashkuara dhe për këtë arsye ju duhet të jeni krenarë që jeni anëtarë të
CIA-s".
Në komentet
e tij, Presidenti Obama u përpoq të sqaronte vendimin e tij për t'i bërë
publike memorandumet dhe të ngrinte moralin e punonjësve të CIA-s.
Ai tha se e
kishte marrë vendimin, pasi një proces gjyqësor pritej që të arrinte në
përfundimin që t'i bënte ato publike dhe se një pjesë e mirë e informacionit
sekret kishte arritur të sigurohej nga media.
Presidenti e
pranoi se bërja e njohur e dokumentave kishte qenë e vështirë për komunitetin e
zbulimit. Por ai i tha personelit të CIA-s që të mos dekurajohej.
"Unë kam luftuar që të mbroj
integritetin e informacionit sekret në të kaluarën dhe do të vazhdoj ta bëj një
gjë të tillë në të ardhmen. Dhe asgjë nuk është më e rëndësishme sesa mbrojtja
e identitetit të oficerëve të CIA-s. Kështuqë asnjë nuk duhet të ketë dyshim se
ne do t'i mbrojmë identitetet dhe sigurinë tuaj ndërsa ju me përkushtim kryeni
misionet tuaja".
Disa
ish-drejtorë të CIA-s e kishin kundërshtuar me forcë publikimin e
memorandumeve. Njëri prej tyre ishte gjenerali në pension i forcës ajrore,
Majkëll Hajden që ishte kreu i agjencisë që nga viti 2006 deri në fillim të
këtij viti.
Ai tha në
një emision televiziv të dielën se është i shqetësuar për efektet e mundshme të
bërjes publike të dokumentave. Ai tha se oficerët e CIA-s mund të shqetësohen
për pasojat ligjore dhe politike që çdo urdhri që mund të marrin.
"Mendoj se efekti i
rrezikshëm është se mund të ketë oficerë të agjencisë që të stepen dhe të mos
kryejnë ato detyra që vendi pret që ata të përmbushin".
Kritikat
kanë qenë të ashpra edhe nga kampi i
republikanëve në Kongres. Saksbi
Çamblis, përfaqësues i Xhorxhas është anëtar Komisionit të Senatit për
Zbulimin.
"Kur punon në komunitetin e
zbulimit, disa gjëra duhet të mbeten
brenda këtij komuniteti. Mendoj se është për të ardhur keq që këto
memorandume u bënë publike".
Zoti Çamblis
tha gjithashtu se ai beson se administrata e Presidentit Obama po përpiqet të
përdorë çdo mundësi për ta vënë në pozitë të vështirë ish-Presidentin Xhorxh
Bush. Por ai shtoi se në këtë rast ishte tepruar. //kk//