Presidenti Obama në prag të vizitës së tij në Moskë
Andre de Nesnera Zëri i Amerikës, Uashington 02-07-2009
Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, thotë se shpreson që takimi i
nivelit të lartë me Presidentin Barak Obama do të ndihmojë për rrugë të reja në
bashkëpunimin mes dy vendeve. Në një
fjalim në video të vendosur në faqen e internetit të Kremlinit, zoti Medvedev
thotë se presidenti amerikan duket i predispozuar për marrëdhënie më efektive
dhe Rusia është e gatshme të luajë rolin e vet.
Presidenti Obama shkon në Moskë javën e ardhëshme për bisedime me zotin
Medvedev për çarmatimin bërthamor dhe për një version të ri të traktait START,
që skadon në dhjetor. Në këtë kronikë nga Uashingtoni,
korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim
gjendjes së marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës para takimit të dy
presidentëve.
Shumë analistë janë dakort se gjatë tetë vjetëve të
administratës së presidentit Bush, marrëdhëniet SHBA-Rusi u përkeqësuan
gradualisht. Ekspertët bënin pyetjen nëse Barak Obama do ta ndryshonte këtë
prirje. Vetëm pak javë pas inaugurimit të presidentit Barak Obama, zëvendës
presidenti Xho Bajden e trajtoi këtë çështje gjatë një konference për sigurinë
ndërkombëtare në Mynih të Gjermanisë.
"Është koha,
siç ka thënë edhe zoti Obama, të fillojmë nga e para. Duhet të shqyrtojmë
fushat në të cilat mund dhe duhet të punojmë me Rusinë", tha ai.
Marshall Goldman nga Universiteti i Harvardit thotë se ky fjalim vendosi
një ton të ri pozitiv për marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës:
"Kur thua se
do të fillosh nga e para, kjo do të thotë se do t'i pastrosh të gjitha gjërat e
mëparshme, dhe kjo hap shumë mundësi të reja, dhe se nuk je i detyruar t'u
përmbahesh premtimeve të mëparshme që kanë qenë të debatueshme".
Deril Kimbal. Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, një
organizatë private e pavarur, pajtohet se ka ndryshime të mëdha mes
administratës Obama dhe Bush në lidhje me marrëdhëniet me Moskën.
"Administrata
e presidentit Obama ka vendosur të përqendrohet në fushat ku Shtetet e
Bashkuara dhe Rusia duan të bashkëpunojnë, fushat ku bien dakort, dhe të lënë
mënjanë disa fusha ku nuk pajtohen", thotë ai.
Gjatë takimit të tyre të parë ballë për ballë me 1 prill në Londër,
presidentët Obama dhe Medvedev ranë dakort të fillojnë negociatat për një
traktat pas START-it për reduktimin e armëve strategjike bërthamore me rreze të
gjatë.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit ata thanë se dy palët do të
përpiqen të arrijnë nivele më të ulëta sesa Traktati i Moskës në vitin 2002.
Kjo marrëveshje i detyronte të dy palët të reduktonin arsenalet me 1,700 deri
në 2,200 mbushje bërthamore deri në vitin 2012. Dy presidentët udhëzuan
negociatorët e tyre të paraqesin raportet përmbledhëse gjatë takimit të
korrikut në Moskë.
Ndërkohë që ekspertët besojnë se dy palët mund të bien dakort për një
traktat pas START-it këtë vit, ata nuk shohin ndonjë lëvizje për sa i përket
propozimit amerikan për një sistem të mbrojtjes nga raketat në Europën Lindore.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sistemi nevojitet për ta mbrojtur Europën
dhe Shtetet e Bashkuara nga kërcënimet e mundshme të shteteve si Irani dhe se
nuk ka në shënjestër Moskën, siç pretendojnë zyrtarët rusë. Robert Legvold i Universiteti Kolumbia thotë se Barak Obama nuk është aq i
përkushtuar ndaj këtij sistemi mbrojtjeje sa ç'ishte presidenti Bush:
"Kur zoti
Obama kandidonte për president, ai e bëri të qartë se nuk kishte ndonjë
përkushtim të veçantë ndaj sistemit kombëtar për mbrojtjen nga raketat apo mbrojtjen
nga raketat balistike. Ai tha se përkushtimi i ti do të varej nga natyra e
kërcënimit dhe nga kushtet teknike".
Ekspertët thonë se sistemi i mbrojtjes nga raketat do të diskutohet në
takimin e korrikut. Çështje të tjera që do të diskutohen përfshijnë situatën në
Afganistan, kërcënimin bërthamor të Iranit dhe Koresë së Veriut dhe
mospërhapjen e armëve bërthamore. Dejvid Krejmër, një ish zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit në
administratën Bush, shpreson se presidenti Obama do të ngrejë të paktën dy
çështje të tjera.
"Shpresoj që
presidenti të diskutojë çështjen e shoqërisë civile dhe aktivistëve të të
drejtave të njeriut në Rusi. Dhe së dyti, zoti Obama duhet t'ua bëjë të qartë
rusëve se ne nuk e njohim sferën e ndikimit rus dhe se Gjeorgjia dhe Ukraina si
dhe vende të tjera duhet të kenë të drejtën të integrohen në institucionet
euro-atlantike".
Shumë ekspertë thonë se pas pesë muajsh në presidencë, administrata Obama
ka filluar të rivendosë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës. Analistët do
të presin të shohin nga takimi i Moskës shenja të qarta që marrëdhëniet do të
vazhdojnë të zhvillohen ndërkohë që të dy vendet përpiqen të zgjidhin çështje
që kalojnë përtej kufijve të tyre. //mm//