Obama, ende asnjë vendim për të ndaluarit e Guantanamos
Zëri i Amerikës 03-07-2009
Presidenti Obama ende nuk ka
marrë një vendim se ç'duhet bërë me të ndaluarit më të rrezikshëm të akuzuar
për terrorizëm që mbahen në burgun e Gjirit të Guntanamos në Kubë. Presidenti e
trajtoi këtë çështje, krahas çështjeve të tjera të politikës së jashtme në një
intervistë që dha për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Administrata e re amerikane e
ka patur të vështirë t'i japë zgjidhje problemit se ç'duhet bërë me të
dyshuarit për terrorizëm, që mbahen në Gjirin e Gunatanamos në Kubë. Që ditën e
tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama dha urdhër që ky burg të mbyllet
deri janarin e ardhshëm. Presidenti tha se trajtimi i të dyshuarve për
terrorizëm, shumica e të cilëve janë ndaluar për vite me radhë, do të jetë një
nga sfidat e tij më të mëdha.
Presidenti Obama tha se ai do të shqyrtojë mundësinë e
transferimit të disa prej të ndaluarve nga Guantanamo në vende të tjera për
periudha të gjata kohe. Por ai shtoi se nuk ka vendosur për ndonjë plan specifik
për këtë çështje.
"Duhet
të mendohemi mirë prandaj do të veprojmë me shumë kujdes për këtë çështje", tha ai.
Zoti Obama tha se disa nga të ndaluarit nuk është e
përshtatshme që të gjykohen në SHBA, ose nga ligji ndërkombëtar. Këtë javë, 4 mijë marinsa amerikanë dhe qindra forca
afgane të sigurisë u ndeshën me rezistencë sporadike, gjatë hyrjes në provincën
Helmand të Afganistanit, një vendstrehim
i talebanëve. Ky është operacioni i parë madhor në kuadrin e
strategjisë së zotit Obama për stabilizimin e Afganistanit.
"Kur është fjala për interersat tona kombëtare,
përcaktimi im për sukses është shumë i qartë: Al –Kaida dhe grupet e saj nuk
mund të krijojnë vendstrehime prej nga ku të kryejnë sulme ndaj amerikanëve".
Zoti Obama po përgatitet për një udhëtim njëjavor jashtë
vendit, gjatë të cilit ngjarrja më e rëndësishme do të jetë takimi me
udhëheqësit rusë në Moskë. Ai do të
takohet si me Presidenti Medvedev, edhe me kryeministrin Putin, me të cilët do
të bisedojë për kontrollin e armëve bërthamore dhe çështje të tjera. Presidenti
tha se zoti Medvedev e kupton se koncepti i Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet
amerikano-ruse është vjetëruar, por se zoti Putin nuk e ka ndryshuar tërësisht
këtë mënyrë të menduari.
"Mendoj se zoti Putin anon njëkohësisht,
si në politikat e vjetra, edhe ato të rejat," - tha Presidenti.
Por ai shtoi se është e rëndësishme të takohet me të dy
udhëheqësit, sepse zoti Putin vazhdon të ketë shumë pushtet në Rusi. Zoti Obama do të marrë pjesë edhe në takimin e Grupit të
8-eshes në Itali si dhe do të vizitojë Ganën, në kuadër të turneut të tij të
parë në Afrikë si President. //kk//