VOANews.com

Voice of America Burim i besuar lajmesh dhe informacioni

 
Lajme në 45 Gjuhë
Shqipëri: Numërimi i votave të fundit krijon tensione të reja


04-07-2009

Në Shqipëri zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Leonard Olli bëri publike mbrëmë rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 28 qershorit sipas të cilave koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike kishte siguruar 71 deputetë nga 140 vende në parlamentin e vendit. 

[insert caption here]
 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Ky ndryshim, sipas të dhënave të ofruara nga zoti Olli, ishte rrjedhojë e ndryshimit të raporteve në Qarkun e Fierit. Deklarata e zotit Olli u kundërshtua me forcë nga Nënkryetarja e Komisionit Qendror, sipas së cilës nuk ka asnjë vendim të këtij institucioni për rezultate paraprake dhe kur ende nuk është mbyllur numërimi, për më tepër kur ky proces përfshin edhe shumë kuti nga qarku i Fierit. 

Reagim të ashpër patën edhe socialistët të cilët e quajtën këtë një manovër të Kryeministrit Sali Berisha. 

Sikur të mos mjaftonte ngarkesa e lartë elektrizuese në atmosferën  paszgjedhore,  një deklaratë e papritur e zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, e ndezi edhe më tej atë. Ndërsa gjatë gjithë këtyre ditëve Komisioni kishte ofruar të dhëna të pjesshme mbi rezultatet, përqindjet e partive të papërkthyera në mandate, mbrëmë zëdhënësi Olli, dha ato që i cilësoi si rezultate paraprake:

"Të përkthyera tashmë në mandate, rezulton që subjektet apo koalicionet respektive të kenë: Në total Aleanca e Ndryshimit  71 vende në parlament, Aleanca Socialiste për Integrim 4 vende dhe Bashkimi për Ndryshim 66 vende apo mandate".

Deri tani, rezultatet jo zyrtare kishin dhënë një raport votash sipas të cilave koalicioni i Partisë Demokratike kishte siguruar 70 mandate përkundrejt 66 të Partisë Socialiste dhe 4 të Lëvizjes Socialiste për Integrim.  Një e dhënë me të cilën ishte pajtuar edhe Partia Demokratike, ose të paktën nuk e kishte hedhur asnjëherë poshtë, aq sa dhe Kryeministri Berisha, ndërsa shpallte se i kishte numrat për të formuar qeverinë i referohej edhe votës përcaktuese të ofruar publikisht nga anëtari i LSI Dritan Prifti i cili ka deklaruar se do të mbështesë qeverinë e djathtë.

Raporti i ri i deputetëve, sipas zëdhënësit të KQZ, mbështetej në ndryshimin e numrave në qarkun e Fierit: "Aleanca e Ndryshimit 7, Bashkimi për Ndryshim 8."

Por qarku i Fierit është më problematiku dhe sytë e të dy partive kanë qenë mbërthyer këto ditë te një numër i konsiderueshëm kutish votimi që do të duhet të numërohen nga Komisioni Qendror. Pra loja aty është e hapur.

Deklarata e zëdhënësit Olli provokoi reagime të menjëhershme. Nënkryetarja e Komisionit, përfaqësuesja socialiste, Dëshira Subashi, e quajti pozicionimin e tij si një akt në kundërshtim me ligjin dhe shpërdorim detyre:

"Lidhur me deklarimin e zotit Olli, unë besoj se jemi përpara një veprimtarie që nuk lidhet me urdhërimet e KQZ... Askush nuk ka të drejtë të përkthejë shifrat në mandate pa një vendimmarrje të Komisionit. Aq më tepër që rezultati zgjedhor është në shqyrtim."

Reagim mjaft i ashpër mbërriti edhe nga Partia Socialiste dhe kryesuesi i listës së kandidatëve të saj për deputetë në qarkun e Fierit Gramoz Ruçi:

 "Duke nxjerrë përpara shqiptarëve kukullën e tij që ka në krye të KQZ, për të folur për të ashtuquajtura rezultate paraprake, Sali Berisha vazhdon të shkelë standardet e zgjedhjeve dhe vazhdon të bëjë përpjekjet e tij të fundit, të dëshpëruara për të marrë në rrugë të paligjshme mandatin që populli shqiptar më 28 qershor nuk ia dha atij. Nuk ka asnjë rezultat paraprak që i jep Sali Berishës 71 mandate".

 Zoti Ruçi tha se kryeministri duhet të tërhiqet nga përpjekjet për të diktuar rezultatin e votës duke kërcënuar se në rast të kundërt do të përballet me opozitën edhe në rrugë.

Situata e krijuar pas deklaratës së zëdhënësit të Komisionit rrezikon të tensionojë situatën edhe në këtë komision ku praktikisht do të shqyrtohen dhe numërohen të gjitha kutitë e mbetura të votimit. //ii



Komente:

1. Vonesa ne rrezultatin e zgjedjeve allakomunisto-enveriste

Kemi folur deri me tani se pluralizmi shqiptare nuk eshte gje tjeter vetem se nje pluralizem i komunizmit enverian,e kjo nuk don as mend as kalem,shqiptaret me keto zgjedhje treguan se nuk duan as njeren e as tjetren per ti udhehequr duke ricikluar vetem parlamente, qeveri e drejtesi qe drejton boten e korrupsionit e te krimit. Shqiperise i duhet nje qeveri teknike qe te behen zgjedhje te ndershme e jashte prapaskenave te klaneve politike te PD-se e PS-se qe jane te lidhura ngushte me boten e korrupsionit e te krimit. Mjaft me me riciklim te pjellave te ndyra e kriminale te diktatures komunisto-enveristo-titiste e mostrat e tyre fundamentaliste islamike. Booooooll me me te babeziturit per pushtet e para te botes se korrupsionit e te krimit. Booooll me. Nje fashat qe duket nuk ka nevoje per kallauz, e tellalle, ku i zoti e shet e tellalli se jep. Klanet e korruptuara duhet te dalin para drejtesise e jo te lejohen te riciklohen ne politike, parlament,qeveri,apo ne drejtesine e komanduar
Nga Autori: Patriot (Shqiperi)
07-04-2009 - 08:11:26

2. Çudi! Milloshevici edhe i vdekur, perseri kerkon te drejtoje Shqiperine

Ky eshte titulli faktik edhe ironik qe populli i drejtohet me perbuzje Sali Berishes. Besoj se komentet e shumta tani me jane te teperta.
Nga Autori: Petro Jashari (MI. U S A)
07-04-2009 - 05:18:52

3. Reminishencat e Rucit

Ruci vjen ne kete parlament si ish ministri i bendeshem i viteve te fundit te regjimit komunist qe ne prag te agimit te demokracise vrau me dhjetra protestues ne rruget e Tiranes duke i lyer rruget me gjak dhe duke i hedhur kufomat ne malin me gropa (ne lindje te Tiranes). Ky ka mbet i vetmi minister i atij regjimi gjakatar, ne parlamentin shqiptar qe ben thirrje per politike dhune, per protesta rruge, per marrje te pushtetit me dhune.
Nga Autori: arjan (tirane)
07-04-2009 - 03:40:32

E-mail This Article Dërgoja këtë tekst një miku
Print This Article Variant i lehtë për t'u shtypur
  Lajmi Kryesor
Presidenti Obama uron shqiptarët për ditën e pavaresisë

  Lajmet
Prirjet e gjelbra: Dielli, uji, era burime alternative energjie të pastër
Informacionet jo të sakta dëmtojnë vaksinimin kundër H1N1 në Evropë
Thellohet përplasja mes qeverisë dhe opozitës
Zv/kryeministri Meta për vizitë dyditore në Kosovë
OSBE tërheq vëmendje për dhunën ndaj individit në Kosovë
Ekstradohet nga Turqia Aldo Bare
Biznesi kërkon miratimin e gjykatës administrative
Strategjia e re amerikane në Afganistan do të njoftohet të martën
Moda e Zonjës së Parë tërheq vëmendje
Ceremonia shtetërore për nder të kryeministrin indian Singh
Myslimanët fillojnë pelegrinazhin e haxhillëkut
Irani, jo kundër dërgimit të uraniumit jashtë vendit
Qëllohet me armë zjarri Kuvendi i Komunës së Gjakovës
Maqedonia reagon ndaj komenteve të Tadiçit për kufirin
Vazhdojnë polemikat mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri
Maqedonia në pritje të zgjidhjes së problemit për emrin
Rohan: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme