VOANews.com

Voice of America Burim i besuar lajmesh dhe informacioni

 
Lajme në 45 Gjuhë
Amerika, Rusia dhe plani për sistemin e mbrojtjes nga raketat


04-07-2009

Rusia kundërshton fuqishëm planin amerikan për të instaluar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Europën Qendrore. Kjo çështje do të diskutohet gjatë takimit të nivelit të lartë amerikano-rus në Moskë nga 6 deri më 8 korrik, mes Presidentit Barak Obama dhe presidentit rus  Dmitri Medvedev.

Four Patriot interceptor missiles like the one shown here can be fired from this mobile launcher between loadings
Administrata Bush e mbështeti me mjaft entusiazëm sistemin e propozuar prej saj për mbrojtjen nga raketat të përbërë nga 10 interceptorë në Poloni dhe një sistemi radari në Republikën Çeke.  Zyrtarët amerikanë thanë se sistemi nevojitej për të mbrojtur Europën dhe Shtetet e Bashkuara ndaj kërcënimeve të mundshme nga vende të tilla si Irani.

Por Daryll Kimball, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Kontrollin e Armëve – një firmë private kërkimesh – thotë se Irani nuk përbën ndonjë kërcënim tani për tani.

"Irani nuk ka aftësinë për të goditur Europën me një raketë me rreze të gjatë veprimi. Ai nuk ka aftësi të caktuara për të hedhur raketa me rreze të mesme që mund të godasin krahun lindor të Europës kontinentale. Por duhet të mbajmë gjithashtu parasysh se Irani nuk ka as mbushje bërthamore, që t’i bënte këto raketa një kërcënim strategjik real.  Për më tepër, Irani e kupton gjithashtu se nëse do të godiste një vend tjetër, atëhere do të ekspozohej ndaj një kundërpërgjigjeje. Dhe, nëse do të godiste ndonjë vend të NATO-s, atëhere të gjithë partnerët e NATO-s do të kundërpërgjigjeshin, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara."

Kimball dhe ekspertë të tjerë thonë se administrata e re e Presidentit Obama nuk është dhe aq e përkushtuar ndaj sistemit antiraketë sa ishte  Presidenti Bush.

"Administrata Obama është shprehur mjaft qartë se do të ndjekë politikën e një mbrojtjeje efektive nga raketat balistike. Por ajo ka thënë gjithashtu se nuk ka ndër mend të instalojë sisteme që kushtojnë miliarda dollarë dhe që nuk e kanë provuar efikasitetin e tyre me anë testimesh me objekte fluturues. Në fakt, sistemi që administrata Bush po nxitonte të instalonte në Poloni dhe në Republikën Çeke as që ishte testuar. Fjala është për një interceptor me dy faza që është planifikuar të testohet tri herë brenda dy vjetësh e gjysmë por kjo nuk është bërë."

Mburoja antiraketë do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të Moskës mes presidentëve Obama dhe Medvedev. Rusët e kanë kritikuar me forcë sistemin duke thënë se ai ve në shënjestër Moskën – një pikpamje kjo që hidhet poshtë nga zyrtarët amerikanë.

Ja ç’thotë David Krejmër, ish zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit gjatë administratës Bush:

"Kur punoja në administratën Bush, mund t’ju them me siguri se synimi nuk ishte instalimi i 10 interceptorëve në Poloni dhe i 10 radarëve në Republikën Çeke.  Qëllimi ishte përballja me mundësinë e një kërcënimi me armë bërthamore nga Irani dhe nuk kishte të bënte fare me Rusinë."

Robert Legvold i Universitetit  Columbia, thotë se rusët e shikojnë mburojën antiraketë si hapin e parë të një plani me përmasa të mëdha.

"Rusët nuk janë dhe aq të preokupuar për kërcënimin e menjëhershëm, praktik, ushtarak dhe strategjik të këtyre sistemeve në Europën Qendrore por e shikojnë këtë si hundën e gamiljes nën tendë dhe besojnë se kjo ka lidhje me plane të tjera për instalimin në Alaskë të një sistemi kombëtar të mbrojtjes nga raketat, ka lidhje me objekte të tjera të mundshme raketore në Europë, apo ndoshta me një komponent raketash balistike në Lindjen e Largme, në Tajvan ose në rajone të tjera. Pra, rusët besojnë se ky mund të jetë një element i një sistemi më të madh."

David Krejmer thotë se janë bërë përpjekje për ta bindur Rusinë të marrë pjesë në mburojën antiraketë.  

"Ekziston interesimi për të bashkëpunuar me Rusinë, për shembull duke përdorur radarët rusë në Armavir, në Rusinë jugore, si dhe në Gabala të Azerbajxhanit. Por Rusia ngul këmbë se një bashkëpunim i tillë do ta eliminonte nevojën për instalimin e sistemit antiraketë në Poloni dhe në Republikën Çeke.  Politika e administratës Bush ishte se radarët në Rusinë jugore dhe në Azerbajxhan do të plotësonin planet amerikane për instalimet në Poloni dhe në Republikën Çeke.  Pikpamja e administratës Obama në këtë çështje është më pak e qartë."


Ekspertët thonë se do të jetë interesante të shihet nëse gjatë takimit të nivelit të lartë të Moskës do të jenë apo në gjendje presidentët Obama dhe Medvedev të ngushtojnë dallimet dhe të mos lejojnë që çështja e mburojës antiraketë të kthehet në një pengesë të madhe për përmirësimin e marrëdhënieve Uashington-Moskë. //ii



Komente:

1. Mr.

Thenie te tilla si kjo me poshte, "...Irani e kupton gjithashtu se nëse do të godiste një vend tjetër, atëhere do të ekspozohej ndaj një kundërpërgjigjeje..." Perkthehen ne gjuhen popullore keshtu. "Bjeme pa ta shohesh!" Vendosja e interceptoreve ne disa vendje te Europes Lindore eshte nje parandalim i ndonje aventure iraniane. Nese Irani qellon nje vend europian me rakete berthamore, atehere mbroju dhe sulmo sa te dush, e keqja ka ndodhur! Rusia ka hallin e vet pasi eshte nje shtet agresor dhe i priten kembe e duar nga nje rrethim serioz qe mund ti beje Amerika. Ketu eshte tere problemi. Ariu Polar kerkon ti kete krejt te lira duarte dhe kembet qe te shtrihet sa here doje e si te doje... Agimi, New York
Nga Autori: Agim (New York)
07-04-2009 - 19:49:27

E-mail This Article Dërgoja këtë tekst një miku
Print This Article Variant i lehtë për t'u shtypur
  Lajmi Kryesor
Presidenti Obama uron shqiptarët për ditën e pavaresisë

  Lajmet
Prirjet e gjelbra: Dielli, uji, era burime alternative energjie të pastër
Thellohet përplasja mes qeverisë dhe opozitës
Zv/kryeministri Meta për vizitë dyditore në Kosovë
OSBE tërheq vëmendje për dhunën ndaj individit në Kosovë
Ekstradohet nga Turqia Aldo Bare
Biznesi kërkon miratimin e gjykatës administrative
Strategjia e re amerikane në Afganistan do të njoftohet të martën
Moda e Zonjës së Parë tërheq vëmendje
Ceremonia shtetërore për nder të kryeministrin indian Singh
Myslimanët fillojnë pelegrinazhin e haxhillëkut
Irani, jo kundër dërgimit të uraniumit jashtë vendit
Qëllohet me armë zjarri Kuvendi i Komunës së Gjakovës
Maqedonia reagon ndaj komenteve të Tadiçit për kufirin
Vazhdojnë polemikat mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri
Maqedonia në pritje të zgjidhjes së problemit për emrin
Rohan: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme