Drejtues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë
nuk përjashtojnë mundësinë e shkeljes së këtyre të drejtave. Sipas tyre,
problemet e mëdha në sistemin gjyqësor paraqesin shkeljen më të madhe të të
drejtave të njeriut.
Një raport i fundit i komisionit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e
Evropës vlerëson se Kosova ka një kornizë të mirë ligjore për mbrojtjen e
këtyre të drejtave, por zbatimi në praktikë i kësaj kornize ligjore thuhet të
jetë i mangët. Raporti radhit gjyqësorin
në Kosovë si shkelësin më të madh të të drejtave të njeriut. Edhe Avokati i
Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi, veçon gjyqësorin dhe administratat komunale
si shkelësit më të mëdhenj të këtyre të drejtave. “Janë dy drejtime. E para, shifrat tona në institucion flasin më tepër
për shkelje të të drejtave në administratë dhe gjyqësi. Mund të them kryesisht
është niveli komunal, dhe në numrin më të madh të rasteve shpesh bëhet fjalë
për të ashtuquajturën ‘heshtje administrative’. Nuk kthehen përgjigje, ka
vonesa në procese dhe këto janë ato që ne i vërejmë më së tepërmi”. tha zoti Kurteshi
Raporti i komisionit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës thotë
se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng i mungesës së ndonjë marrëveshjeje
ndërkombëtare mbi statusin e Kosovës, ndërsa tërheq vërejtjen në respektimin më
të madh të të drejtave të pakicave kombëtare. Avokati i Popullit thotë ndërkaq
se institucionet në Prishtinë janë mjaftë të përkushtuara në respektimin e
këtyre të drejtave. “Të drejtat kolektive, gjithmonë, përveç
natyrës së të drejtave të njeriut, këto të drejta kanë edhe konotacion politik.
Kjo nuk do të thotë se është e drejtë apo e padrejtë, sepse ne nuk jemi për të
vlerësuar nëse është kërkesë e drejtë politike ose jo, kjo është detyrë e
institucioneve të tjera. Por ne, në kuadër të kërkesave dhe ankesave që
paraqiten në formë kolektive ne
analizojmë nëse bëhet shkelja ligjore në trajtimin e pritjeve të tyre. Këtë ne
e bëjmë pa hezitim”.tha zoti Kurteshi.
Drejtues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se
institucionet e Kosovës e kanë të qartë se respektimi i këtyre të drejtave
është kriteri themelor për një shtet
demokratik. Të drejtat e njeriut, e posaçërisht të drejtat e komuniteteve dhe
pjesëtarëve të tyre, janë një nga obligimet themelore të cilat Kosova duhet t'i
përmbushë, obligime këto që dalin drejtpërdrejtë edhe nga propozimi gjithëpërfshirës
i presidentit Ahtisaari mbi bazën e të
cilit është shpallur pavarësia e vendit.//rd//