VOANews.com

Voice of America Burim i besuar lajmesh dhe informacioni

 
Lajme në 45 Gjuhë
Mishel Obama dhe roli i Zonjës së Parë në Rusi


05-07-2009
Zonja e Parë amerikane, e cila ka bërë për vete publikun skeptik në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, me elegancën dhe karizmën e saj të natyrshme, ka ndoshta përpara sfidën më të madhe për të fituar pëlqimin e publikut rus, i cili nuk shfaq shumë simpati për gra që tërheqin vëmendje të madhe nga burrat e tyre të famshëm. Në vazhdim i hedhim një vështrim institucionit të zonjës së parë në Rusi dhe si ndikon kjo traditë në vizitën e ardhshme të çiftit Obama në këtë vend:


Stili i Mishel Obamës është krahasuar shpesh me atë të zonjës së parë të Francës, Karla Bruni dhe të Zhaklinë Kenedit, dhe tani është krijuar edhe një faqe interneti e dedikuar plotësisht ndaj veshjes së saj. Kryeredaktorja e botimit në rusisht të revistës Vogue, Aliona Doletskaja, thotë se zonja Obama është bërë shembull për vajzat e reja kudo në botë:

“Duke kombinuar krijime të stilistëve të rinj me ato të mirënjohur ndërkombëtarë, pra markat firmato me ato të prodhimit të gjerë zonja Obama përcjell një mesazh të fortë se si mund të bëhesh e modës.”

Zonja e Parë ruse, Svetlana Medvedeva, e cila njihet si një grua e rezervuar dhe modeste, nuk shfaq shumë ngjashmëri me Mishel Obamën. Zonja Medvedeva mbështet shoqëri bamirësie dhe artin, por nuk ka shfaqur pikëpamje të pavarura lidhur me problemet e vendit.

“Do të donim ta shihnim zonjën Medvedeva në shtëpitë e fëmijës apo në veprimtari të tjera bamirëse. Kjo është e pranueshme për ne rusët. Por do të ishte pa vend që ajo të bënte komente politike,” thotë një rus.

Në një vend si Rusia, ku një kandidat presidencial pat thënë një herë se më parë do të preferonte ta mbyllte gruan në kuvend murgeshash, se sa ta lejonte të përzihej në politikë, rusët ende nuk e kanë përqafuar idenë e një gruaje të fuqishme prapa postit të presidentit.

“Ndoshta, bashkëshortja e presidentit duhet të qëndrojë pak në prapaskenë. Nuk diskutohet që ajo bën punë të mirë në çështje sociale, prandaj nuk duhet t’i hamë hakun. Megjithatë, mendoj se njerëzit e afërm të figurave të mëdha duhet të qëndrojnë disi të tërhequr,” thotë një ruse

Gjatë ekzistencës së Bashkimit Sovjetik, roli i zonjës së parë nuk qenë shumë i spikatur. Që nga Stalini e deri tek udhëheqësi sovjetik i viteve ’80, Kostantin Çernenko, zonjat e para sovjetike rallë herë shiheshin në publik dhe kurrë nuk shprehnin mendime.

Thuhet se bashkëshortja e Brezhnjevit ndjehej më mirë në kuzhinë, ndërsa e shoqja e Juri Andropovit doli për herë të parë në publik gjatë varrimit të të shoqit.

Raisa Gërbaçov, bashkëshortja shumë popullore e Mikhail Gërbaçovit, e theu këtë traditë kur tërhoqi mbi vete vëmendjen e publikut me stilin e saj elegant dhe komentet e mprehta gjatë udhëtimeve jashtë shtetit. Si rezultat ajo humbi simpatinë e rusëve për guximin e saj, dhe publiku rus e fali vetëm pas vdekjes nga leuçemia.

Siç shpjegon Aliona Doletskaja, e revistës Vogue në rusisht, institucioni i zonjës së parë në Rusi është krejt i ri. Prandaj edhe publiku rus nuk ushqen ambicje të mëdha për zonjën e parë.

Megjithatë, Svetlana Medvedeva gëzon popullaritet mes të rinjve, të cilët e ndjekin me vëmendje në të gjitha aktivitetet publike ku merr pjesë.

“Nuk është kollaj të jesh zonjë e parë, por mendoj se Svetlana do t’ia dalë. Pastaj do të shohim kush është më e zonja, Mishel obama apo Svetlana jonë,” thotë Oksana Fiodoroska, Miss Universi i vitit 2002.

Ndoshta në përpjekje për t’iu përshtatur qëndrimit konservator rus ndaj rolit të zonjës së parë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë këshilluar që gjatë kësaj vizite shtetërore të presidentit amerikan në Rusi, zonja Obama të qëndrojë sa më larg vëmendjes publike.


E-mail This Article Dërgoja këtë tekst një miku
Print This Article Variant i lehtë për t'u shtypur
  Lajmi Kryesor
Shkembime zjarri mes anijeve luftarake të dy koreve

  Lajmet
20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, bota kujton fillimin e përmbysjes së komunizmit
Shqipëria kujton rënien e Murit të Berlinit
Zëri i Amerikës në shqip, 10 vjet televizion
Kosovës nuk i kanoset asnjë rrezik nga jashtë, thotë komandanti i KFOR-it
Mal i Zi: Shqiptarët të shqetësuar per pengesat e përdorimit të gjuhës
Presidenti Obama takohet sot me Benjamin Netanjahun
Indonezi: 2 të vrarë dhe 40 të plagosur nga një tërmet i fuqishëm
Presidenti Obama përshëndet miratimin e ligjit elektoral në Irak
Kosovë: Zgjedhjet komunale dhe pjesëmarrja e serbëve
Shqipëri: Zbulohen pjesë të anijes "Volage" në ujrat e Sarandës
Pikëpamjet e qeverisë amerikane, Muri i Berlinit
Kënga "Kërkoj liri", më e pëlqyera në Gjermani para rënies së Murit të Berlinit
Parlamenti i Irakut miraton ligjin elektoral
SHBA: Shefi i Shtatmadhërisë mbështet shtimin e trupave në Afganistan
Obama vlerëson ligjvënësit për miratimin e reformës shëndetësore
Pakistan: 13 të vrarë nga një shpërthim vetvrasës në Peshavar
SHBA: Anija me çelikun e Kullave Binjake, mbërrin në Nju Jork
Kina do të japë 10 miliardë dollarë hua për Afrikën
Afganistan: 7 ushtarë afganë vriten gabimisht nga NATO
Maqedonia në dilemë për mbajtjen e referendumit mbi ndryshimin e emrit
Rënia e Murit të Berlinit dhe arkivat e policisë sekrete gjermane Stasi
Medvedev: Rënia e Murit të Berlinit nuk plotësoi të gjitha shpresat e lindura
Lumi Misisipi, kufiri mes lindjes dhe perëndimit të SHBA
Masakra në Fort Hud, reagon komuniteti mysliman
Teknologji të reja ekspozojnë shkeljen e të drejtave të njeriut
Ukrainë: Pjesë të  vendit në karantinë, si pasojë e gripit H1N1
Udhëheqësit e G-20: Ka përmirësim ekonomik e financiar në muajt e fundit
Obama: Amerika në zi për 13 viktimat e bazës ushtarake Fort Hud
SHBA: Tetori shënoi nivelin më të lartë të papunësisë në 26 vjet
Shqipëri: Dhuna ndaj gazetarit Baze, takim mbi lirinë e shtypit
Kosovë: Komuna e Pejës në prag të zgjedhjeve komunale