Robert Maknamara, një nga arkitektët e luftës së Vietnamit
Meredith Buel Zëri i Amerikës 07-07-2009
Robert Maknamara, ish-Sekretari
amerikan i Mbrojtjes që konsiderohet si arkitekti i strategjisë amerikane gjatë
luftës së Vietnamit, ka vdekur. Të afërmit e tij thonë se ai vdiq sot në
shtëpinë e tij në Uashington në moshën 93 vjeçare. Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts e vlerësoi
zotin Maknamara si "patriot dhe një zyrtar i përkushtuar" që luajti një rol
vendimtar në drejtimin që mori historia amerikane. Zoti Maknamara shërbeu si Sekretar Mbrojtjeje
nga viti 1961 deri në vitin 1967. Ai u bë një figurë kontradiktore pasi ishte
në këtë post kur u rrit angazhimi amerikan në Vietnam. Në vitet e mëvonshme e
pranoi se arsyetimi i tij për luftën e Vietnamit kishte qenë i gabuar.
Në vitin 1961, Robert Streinxh Maknamara la një punë
me pagë të lartë si president i kompanisë Ford për t'u bërë Sekretar i Mbrojtjes, post që e
mbajti gjatë presidencës së Xhon Kenedit dhe Lindon Xhonsonit. Ai solli në
postin e tij në Pentagon një përvojë të gjerë. Zoti Maknamara u lind në San
Fransisko të Kalifornisë në vitin 1916. Ai ishte një student i shkëlqyer në
Universitetin e Kalifornisë, në Bërkli ku ishte anëtar i shoqatës së njohur Fi
Beta Kapa.
Maknamara
mori një master në biznes në Universitetin e Harvardit. Gjatë Luftës së Dytë
Botërore ai shërbeu në Forcën Ajrore të Ushtrisë amerikane. Pas luftës, ai dhe
disa kolegë ofruan shërbimet e tyre si ekspertë të kontrollit të statistikave. Ishte
përfshirja e Maknamarës në rolin e Amerikës në Vietnam për të cilën ai do të
kujtohet më shumë. Ai konsiderohet një nga arkitektët e një politike që
shkaktoi vdekjen e mbi 58 mijë ushtarëve amerikanë. Në vitin
1964, pasi Presidenti Xhonson mori detyrën, zoti Meknamara konsiderohej një
njeri i fortë. Ja si shprehej ai në atë kohë.
"Vietnamezët e jugut duan që
të luftojnë. Ne po japin ndihmë ekonomike. Po ndihmojmë me trajnime
dhe me ndihmë logjistike. Ne nuk po bëjmë pjesën e luftimeve".
Ky qëndrim
ndryshoi dramatikisht dhe zoti Meknamara e mbështeti pjesëmarrjen e shpejtë dhe
në rritje të Amerikës në konflikt. Në qershor të vitit 1968, mbi 500 mijë trupa
ishin në Vietnam. Maknamara
dhe figura të tjera të rëndësishme me rol qëndror në hartimin e
politikave, ishin mbështetës të teorisë së efektit
domino.
"Nëse komunistët do të
kontrollonin Vietnamin jugor, pothuajse me siguri kontrolli i tyre do të shtrihej
përmes Azisë Juglindore dhe kjo do të kishte një efekt domino ndoshta deri në
Pakistan, ose Filipine dhe sigurisht në Jug përmes Indonezisë. Do të jetë një
betejë e gjatë. Është një luftë e vështirë, por mund të fitohet. Ne propozojmë
të ndihmojmë vietnamezët ta fitojnë".
Zoti Maknamara ka shërbyer si Sekretar Mbrojtjeje më gjatë se askush tjetër. Ai
ishte një nga figurat kryesorë në krizën kubaneze të raketave me Bashkimin
Sovjetik. Ai mbështeti pushtimin e Gjirit të Derrave, që dështoi kur një grup
të mërguarish kubanezë me mbështetjen e CIA-s, dështuan në përpjekjen për të
përmbysur Fidel Kastron. U desh të
vinte viti 1995, që zoti Maknamara të pranonte dështimin e politikës që në të
kaluarën e kishte mbrojtur me aq pasion, në librin me kujtime "Retrospektivë: Tragjedia dhe mësimet e Vietnamit".
"Presidenti Kenedi,
Sekretari i Shtetit Dean Rask, unë, Shefi i Shtatmadhorisë, të gjithë kishim
marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Çërçilli tha se përgjigjia e vonuar e
Perëndimit ndaj Hitlerit shkaktoi humbjen e mijëra jetëve në Luftën e Dytë
Botërore. Ne ishim të vendosur që nuk do të kishte një përgjigje të vonuar ndaj
agresionit komunist të viteve '50 dhe '60. Ne besojmë se komunistët po
përpiqeshin të merrnin nën kontroll botën. Kështuqë kishte kërcënime. Por
mendoj se në Azinë Juglindore gjykimi ynë ishte i gabuar. E kishim gabim".
Deri në
vitin 1968, zoti Meknamara po fillonte të kishte dyshim për Luftën e Vietnamit,
por nuk arriti të bindte presidentin, apo këshilltarët e vijës së fortë në
Shtëpinë e Bardhë që të mbanin një qëndrim më të moderuar. Zoti
Maknamara dha dorëheqjen nga posti i tij në Pentagon dhe u emërua President i
Bankës Botërore, një pozicion që e mbajti për 13 vjet. Në Bankën
Botërore, ai ndërmori një fushatë kundër varfërisë dhe drejtoi një lëvizje
madhore për rritjen e angazhimit financiar për vendet e varfra. Megjithatë,
atë vazhdonte ta shqetësonte nga përvoja e Vietnamit dhe efekti që kishte tek
familja e tij.
Maknamara u
kritikuar që nuk kishte pranuar gabimet për politikat e Vietnamit deri shumë
vjet pasi la detyrën në Pentagon. Kujtimet e tij u botuan 20 vjet pas rënies së
Saigonit në vitin 1975. Por zoti Maknamara tha se atëherë ishte koha e duhur
për të diskutuar ngjarje që kishin ndodhur aq vjet përpara.
"Mendoj se unë dhe
bashkëpunëtorët e mi, vepruam në përputhje me ato që ne mendonim se ishin në
traditën tonë, parimet dhe vlerat e këtij vendi. Por ne e kishim gabim. Kështuqë unë mendoj se ne i detyrohemi
brezave të ardhshëm që të shpjegojmë arsyet, të nxjerrim mësime që të mos
përsërisim të njëjtat gabime".
Robert
Maknamara ishte subjekti i dokumentarit të vitit 2003 "Mjegulla e Luftës".
Autorët e filmit kanë thënë se përshkrimet e mëparshme të Maknamarës si
arrogant dhe teknokrat i rreptë nuk shfaqen në inçizimet e bisedave të tij me
Presidentët Kenedi dhe Xhonson. //kk//