Program për leje qëndrimi në Amerikë për investitorët e huaj
Steve Mort Zëri i Amerikës 07-07-2009
Disa kompani amerikane po përpiqen të tërheqin investime të huaja duke u
ofruar leje të përhershme qëndrimi në Shtetet e Bashkuara shtetasve të huaj për
t'i nxitur të investojnë. Në kuadër të një programi pilot, autoritetet
amerikane të imigracionit kanë miratuar krijimin e një numër qendrash rajonale,
ku bëjnë pjesë korporata, organizata apo agjenci, të cilat mund t'u ofrojnë
viza të tipit EB5 shtetasve të huaj që janë të gatshëm të investojnë paratë e
tyre në projekte. Në vazhdim ju njohim me përvojën e menaxherëve të një
kompleksi pushimesh pranë parkut të argëtimit Disney World në Florida, të cilët
thonë se pas publikimit të programit, janë kontaktuar nga investitorë të interesuar
nga pika të ndryshme të globit:
Kjo reklamë synon të nxisë investitorët e huaj t'i investojnë paratë e tyre
në një kompleks pushimi pranë Disney World. Kompleksi Lake Buena Vista është
një ndër 45 kompanitë që ka fituar identifikimin si "qendër rajonale" nga
qeveria amerikane. Ky identifikim nënkupton se
kompleksi ka të drejtën të japë mbi 100 leje për banim të përhershëm në
Amerikë, për shtetas të huaj që kanë në dispozicion mbi 1 milionë dollarë për
investime në projekte zhvillimi. Sipërmarrësi Larry Cohen
thotë se gjendja ekonomike në vend e bëri të kërkojë fonde jashtë Shteteve të
Bashkuara.
"Kemi marrë oferta nga blerës që donin
të blinin apartamente pushimi, pra njerëz që kishin edhe dëshirën edhe paratë,
por nuk ka fonde kreditimi në treg. Pikërisht ky është problemi".
Çdo investitor blen 2 apartamente pushimi në kompleks, secili me çmim rreth
400 mijë dollarë dhe më pas merr një përqindje të të ardhurave që nxjerr
apartamenti nga turistët që e frekuentojnë. Qeveria i kërkon çdo
investitori të huaj të hapë të paktën 10 vende pune në mënyrë direkte apo
indirekte. Nga 10 mijë lejet e qëndrimit
të përhershëm që mund të jepen çdo vit në shkallë kombëtare, 3 mijë janë veçuar
për programin pilot të "qendrave rajonale" . Ofer Fridfertig mbikqyr
operacionet në kompleks. Ai thotë se ka marrë mijëra kërkesa:
"Të paktën 45 për qind e vizitorëve në
faqen e internetit janë nga Kina, nga ku na kanë ardhur shumë kërkesa për
informacion".
Zoti Fridfertig shkoi kohët e fundit në Kinë në përpjekje për të tërhequr
investitorë të interesuar për të siguruar banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.
Aplikimet për leje qëndrimi bazuar në investime u rritën ndjeshëm vjet, sipas
Departamentit amerikan të Sigurimit Kombëtar. Një individ me leje të
përhershme banimi mund të udhëtojë lirisht jashtë Shteteve të Bashkuara dhe të
kthehet përsëri si dhe të jetojë përherë në Amerikë. Por avokati për imigracion
Ramaçadran Balaraman thotë se interesimi për lejet e qëndrimit të
"Qeveria do të sigurohet se ato fonde
që investohen vijnë nga burime të ligjshme. Pra të mos ketë para të pista".
Në Florida, administruesit e këtij kompleksi pushimesh pohojnë se 1 milion
dollarë për investime është një shumë e konsiderueshme, dhe shtojnë se këto
fonde do të ofrojnë një nxitje shumë të nevojshme për ekonominë. Po ashtu ky
program do t'u ofrojë atyre që përmbushin kushtet, thonë ata, fillimin e një
jete të re në Shtetet e Bashkuara.//iç//