Zyrtarë të lartë të Serbisë, përfshirë edhe presidentin Boris Tadiç, pritet të shkojnë sot në Luginën e Preshevës pas incidentit të një dite me parë në atë zonë ku u plagosën dy policë.
![[insert caption here] [insert caption here]](/albanian/images/presheva_1.jpg) |
Presheva
|
Autoritetet serbe thanë se incidenti është vepër e shqiptarëve, ndërsa veprimtarët për të drejtat e njeriut në Luginën e Preshevës, u bënë thirrje atyre të mos nxitohen me vlerësime rreth këtij incidenti. Ata thonë se incidenti edhe një herë krijon imazhin e një rajoni të paqendrueshëm gjë që ndikon në lirinë e lëvizjes e cila është e rënduar për shkak të pranisë së madhe të forcave ushtarake e policore serbe në tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Incidenti ndodhi në fshatin Luçan pranë Bujanovcit. Ministri i Brendshëm Daçiç ka thënë se fjala është për "grupime terroriste", mbetje të grupeve që kanë vepruar më herët në ato hapësira.
Përfaqësuesit e pushtetit lokal në Bujanovc që udhëhiqet nga shqiptarët nuk kanë bërë komente pas incidentit i cili ka ndodhur në një zonë të banuar vetëm me shqiptarë. Sipas përfaqësuesve të zonës, gjendja në Luginën e Preshevës nuk ka shënuar përparime pas përfundimit të konfliktit në maj të vitit 2001 me ndërmjetësimin ndërkombëtar. //ii