Në Tiranë,
disa dhjetra gazetarë e publicistë e qytetarë u mblodhën sot në mesditë përpara
kryeministrisë për të protestuar ndaj dhunës së ushtruar dy ditë më parë nga
sipërmarrësi Rezart Taci ndaj botuesit të gazetës Tema Mero Baze
Protesta u
zhvillua në dyert e selisë së qeverisë duke qenë se përfaqësuesit e mediave
akuzojnë pushtetin se është vënë në mbrojtje të një sipërmarrësi e duke bërë për
këtë përgjegjës kryeministrin Sali Berisha. Sipas organizatorëve edhe hedhja e
kepucëve në drejtim të godinës qeveritare simbolizonte sipas tyre vënien e
shtetit nën këmbët e një njeriu të biznesit. Folësit ne këtë protestë të shkurtër
kërkuan që policia të arrestojë agresorin e vërtetë të gazetarit Mero Baze dhe
jo shoqëruesit e tij, si dhe shprehën shqetësim për cënimin e lirisë së fjalës
në vend.
Sipas policisë
sipërmarrësi Rezart Taci është shpallur në kërkim pasi dyshohet të ketë
ushtruar dhunë ndaj botuesit të gazetës Tema, Mero Baze i cili përfundoi në
spital. Në formë ironie ndaj organeve të policisë shoqatat e gazetarëve kanë
deklaruar se japin shpërblim 10 mijë euro për këdo që jep informacione për
vendndodhjen e zotit Taci. Ky i fundit dje mohoi të ketë patur konflikt
fizik me gazetarin Baze.




